Analistët për Asociacionin: Qeveria nuk do të dërgojë në Kushtetuese draftin
Tema
Lexohet për: 3 min.
qeveria-kushtetuta
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Qeveria e Kosovës nuk do të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të hartuar nga Bashkimi Evropian, thonë analistët politikë. Pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve, veçmas të amerikanëve, një gjë e tillë shihet vështirë e arritshme, derisa Kosova gjendet në parafushatë zgjedhore.

Në ditën e vizitës në Kosovë të ndihmës-sekretarit amerikan për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, kërkohet nga aleatët që mos të bëjnë presion ndaj Kosovës që si e vetme të respektojë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, të arritur vitin e kaluar në kuadër të dialogut, ku përfshihet edhe themelimi i Asociacionit.

O’Brien dje qëndroi edhe në Serbi, ku kërkoi zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog, veçmas e konsideroi të domosdoshme që Qeveria e Kosovës të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftin e Asociacionit të hartuar nga Bashkimi Evropian.

Analisti politik, Dorajet Imeri, thotë për KosovaPress se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura, mirëpo nevojitet që Serbia fillimisht të tërheq letrën të dërguar vitin e kaluar në BE, ku theksojnë se nuk do të zbatojnë nene të caktuara të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, kryesisht ku flitet për respektim të integritetit territorial të palëve dhe mospengim të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Imeri, pas kësaj e sheh të nevojshme që pala kosovare të bëjë lëvizjen e radhës për themelimin e Asociacionit, por siç thotë ai, që i njëjti të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në anën tjetër, politologu, Arbnor Sadiku, thotë se pavarësisht insistimit amerikan që qeveria Kurti të dërgojë në Kushtetuese draftin e Asociacionit, një gjë e tillë është e pamundur për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme më 9 shkurt 2025.

Ndihmës-sekretari amerikan për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, gjatë qëndrimit të tij sot në Kosovë do të pritet në takim nga kryeministri Albin Kurti.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë në shkurt të vitit 2023 në Bruksel dhe më pas aneksin e zbatimit një muaj më pas në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Mirëpo palët ende nuk kanë nisur zbatimin e saj, pavarësisht negociatave të vazhdueshme për planin e sekuencimit të saj.

Në tetor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian, përmes përfaqësuesit special për dialogun, Miroslav Lajçak i kanë dorëzuar kryeministrin Albin Kurti draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pavarësisht kërkesës se aleatëve ndërkombëtarë për ta dërguar të njëjtin në Gjykatë Kushtetuese për interpretim, kreu qeveritar nuk ka pranuar ta bëjë një gjë të tillë.

Ai ka kërkuar fillimisht nënshkrimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit për të krijuar mirëbesim në proces të dialogut.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025