Qyteti me lumë por banorët pa ujë të pijshëm

Tash e shtatë muaj banorët e Pejës janë në hall me mungesën e ujit të pijshëm. Ujësjellësi “Hidrodrini” thotë se kjo po ndodh për shkak të mungesës së reshjeve por qytetarët ankohen se arsye janë punimet në rrugë dhe ndërtimi i banesave. Sipas tyre, kjo po kushtëzon me ujë të pijshëm disa zona të qytetit i cili e ka Lumbardhin.

Ndërprerja e ujit që po zgjatë me orë të tëra po shqetëson banorët të cilët nuk marrin as njoftim për orarin e ndërprerjes.

“Në disa lagje ka edhe reduktime me kohë të gjatë, me 12 orë dhe ndoshta edhe më shumë. Ka nisur rritja e popullatës, e banesave. Lagjet e caktuara ku bëhen banesat e mëdha si kyçen ato edhe tash kapacitetet e vjetra nuk përbijnë kështu, këta detyrohen me bë aty-këtu reduktime, ka edhe prishje se bëhen punime nëpër rrugë e dëmtohen gypat e ujit”, thotë Luan Thaçi, banor i Pejës.

Një tjetër qytetar, Adem Raçi kritikon ujësjellësin për mos informim të banorëve për kohën e ndërprerjes së ujit.

“Pa plan reduktime, se të kishim qenë të informuar ishim marrë vesh disi… 5 euro  për muaj… Reduktimet që janë duhet të lajmërohen se kur ka, që të përgatitemi, se përndryshe po duhet me ble plan e pa plan në dyqane, atë ujin e njëjtë”, thotë ai.


Zëdhënësi i Komunës së Pejës, Faik Zekaj pranon se kanë marrë ankesa nga qytetarët.

Në anën tjetër, “Hidrodrini” në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, ka thënë se ndërprerja e ujit po ndodh si pasojë e “rënies së burimeve për shkak të mungesës së reshjeve”.

“Rajoni i Pejës nuk po aplikon reduktime me orar, ato janë ndërprerë. Ka ndërprerje të furnizimit nëpër pjesë te caktuara në orare lëvizëse varësisht nga situata dhe kjo si pasojë e rënies së burimeve për shkak të mungesës së reshjeve!”, thuhet në përgjigje.

Ndërkaq, Naser Lajçi nga organizata “Syri i Vizionit” thotë për KosovaPress se një prej problemeve kryesore që është ngritur është keqpërdorimi i ujit të pijes.

Me ndërprerje të furnizimit me ujë po përballen lagjet: “Xhemajl Kada”, “Qendra Zejtare”, “Zona e Rrokaqiellit”, “Karagaqi”.

Lexo edhe

Video