Qeveria s'ka dilema për përfitimin e milionave nga Plani i Rritjes, BE thotë se varet nga progresi në dialog
Tema
Lexohet për: 2 min.
463109871_1092007058959687_1756795108826963896_n
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Qeveria e Kosovës nuk parasheh pengesa në përfitimin e pagesës së parë nga Bashkimi Evropian në kuadër të Planit të Rritjes. Në ekzekutiv thonë se presin që 32 milionë euro të disbursohen nga BE-ja në dhjetor të këtij viti, derisa nënvizojnë se këto mjete nuk duhet të kushtëzohen me dialogun Kosovë-Serbi. Një gjë të tillë e shohin të gabuar edhe nga partia më e madhe opozitare PDK.

Megjithatë, në Bashkimin Evropian ritheksojnë për KosovaPress, se për Kosovën dhe Serbinë përfitimi i milionave të BE-së, është i ndërlidhur me angazhimin konstruktiv në dialog, për të cilën do të kërkojnë një opinion edhe nga ana e përfaqësuesit të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Mirëpo, të njëjtit nuk u përgjigjen në pyetjen nëse takimi i javës së ardhshme në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel, do të jetë vendimtar për arritjen e progresit në dialog, rrjedhimisht edhe dhënien e dritës së gjelbër për ndarjen mjeteve për Kosovën dhe Serbinë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, thotë për KosovaPress, se s’ka dilema që disbursimi i mjeteve do të ndodh duke mos pritur që ndarja e tyre të kushtëzohet me dialogun me Serbinë.

Ish-ministri i Jashtëm, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ndërkaq e cilëson si të gabuar kushtëzimin e mundshëm të ndarjes së mjeteve nga plani i rritjes me progresin në dialog.

Nga 6 miliardë euro që janë paraparë për vendet e Ballkanit Perëndimor me Planin e Rritjes, Kosovës i takojnë mbi 800 milionë.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen së fundit, në kuadër të Procesit të Berlinit bëri të ditur se brenda këtij viti, do të ndahen mjetet e para nga ky  fond.

Së fundmi BE-ja miratoi agjendat e reformave të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovës, të cilat i kanë paraqitur si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025