Sistemi i hallkave elektronike pritet të lansohet në fund të këtij muaji

Gati një dekadë pas miratimit, Ligji për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, pritet të fillojë zbatimin. Avokuesit e të drejtave të njeriut vlerësojnë se në këtë mënyrë do të rritet siguria dhe do të parandalohen përsëritjet e rasteve të dhunës.

Fushata 16 ditët e aktivizimit kundër dhunës në bazë gjinore – që fillon më 25 nëntor – pritet që të sjell edhe lansimin e sistemit të hallkave elektronike.

Shuma prej 600 mijë eurosh për blerjen e byzylykëve ishte ndarë nga qeveria në prill të vitit të kaluar.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë për KosovaPress se kontrata për blerjen e tyre është nënshkruar dhe se janë bërë “planifikimet për trajnimin e zyrtarëve përgjegjës”.

“Ne planifikojmë që këtë sistem ta lansojmë në kuadër të 16 ditëve kundër dhunës në bazë gjinore dhe dhunës në familje që është 25 nëntori i këtij viti deri më 10 dhjetor, urojmë që Policia e Kosovës të jetë e gatshme ndonëse ne kemi qenë në vazhdimësi në komunikim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe janë zotuar se brenda këtyre ditëve do të lansohet ky sistem”, thotë Haxhiu.

Moszbatimi i Ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, është shqetësues për institucionin e Avokatit të Popullit.


Naim Qelaj thotë se si pasojë e mosimplementimit të ligjit kanë ndodhur vrasjet e grave.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës thotë, gjithashtu, se një ligj i tillë do të rriste sigurinë dhe do të ndikonte të mos përsëriten rastet e dhunës.

Lidhur ne këtë temë, KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Brendshme por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Ligji për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, është në fuqi nga 1 korriku i vitit 2015.

Sipas këtij ligji, mbikëqyrja elektronike bëhet me vendim të gjykatës dhe realizohet përmes vendosjes së një pajisjeje të posaçme (byzylyk) në trupin e personit. I njejti monitorohet nëse po e tejkalon perimetrin e lejuar nga gjykata./B.Ibishi

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…

https://kosovapress.com/haxhiu-dhunuesit-do-te-monitorohen-me-hallka-elektronike

Lexo edhe

Video