Për gati një vit e gjysmë, Kosova vazhdon të mbetet e sanksionuar nga vendosja e masave të Bashkimit Evropian, që kjo për opozitën po konsiderohet si dështim i Qeverisë Kurti rreth lobimit për heqjen e tyre. Të njëjtit ritheksojnë se rreth 300 milionë euro janë të bllokuara aktualisht nga masat e BE-së. Ndonëse, edhe deputetë të partisë në pushtet kërkojnë nga BE heqjen e masave. KosovaPress lidhur me këtë çështje ka dërguar pyetje edhe tek Qeveria e Kosovës, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kësaj teme.
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala derisa ka kritikuar Qeverinë Kurti për keqqeverisje, ka bërë thirrje qeverisë të krijojnë mundësitë e lobimit dhe të sqarimit që Kosovës nuk i duhen këto masa.
Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Pal Lekaj derisa ka fajësuar qeverinë aktuale për masat, thotë se ka shumë projekte që kanë ngecur për çfarë po dëmtohen edhe qytetarët.
Në anën tjetër, nga pushteti presin që me funksionalizmin e plotë dhe me fillimin e punës dhe vendimmarrjes në Komisionin e Evropian të shqyrtohet seriozisht jo vetëm kërkesa e Kosovës për heqjen e masave por edhe anëtarësimi i Kosovës për status të vendit kandidat për BE-në.Kujtojmë se, Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.
https://kosovapress.com/masat-e-be-se-demtuan-ekonomine-kerkohet-shfuqizimi-i-sanksioneve