Masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të vendosura një vit më parë kanë pasur ndikim negativ në ekonominë e vendit. Kështu vlerësojnë partitë opozitare dhe njohësit e ekonomisë, ku sipas tyre rreth 300 milionë euro janë bllokuar nga BE-ja.
Derisa ngrisin shqetësime se Kosovës mund të mos i disbursohen as mjetet nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dy ditë më u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës.
Ndërsa, nga mazhoranca presin që masat të hiqen dhe se humbjet gjatë periudhës 1-vjeçare janë vetëm shtatë milionë euro.
Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian sipas deputetit të AAK-së, Pal Lekaj kanë dëmtuar Kosovën në aspektin ekonomik.
Ai thotë se BE-ja nuk duhet të sanksionojë Kosovën për shkak të një kryeministri, pasi në pyetje janë qytetarët e vendit.
Në anën tjetër, deputeti nga partia në pushtet, Armend Muja thotë se në kuptim të projekteve të BE-së, mund të jenë afektuar rreth shtatë milion euro, derisa shton se këto masa të padrejta duhet të hiqen.
Mësohet se në Bashkimin Evropian nuk ka pajtim të plotë për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Por, si kompromis pritet që këto masa të hiqen pjesërisht dhe gradualisht.