Kryetari i LDK-së dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër në zgjedhjet e 7 qershorit Lumir Abdixhiku dhe kandidatja e LDK-së për presidente Vjosa Osmani
dolën me reagim të përbashkët pas deklaratës së sotme të ngarkuarës me Punë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati dhe thirrjes së saj që Kosova të pranojë projektet amerikane të gazit, duke theksuar se, ‘‘mundësia për t’iu bashkuar këtyre projekteve po mbyllet’’ dhe se në të ardhmen, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga fqinjët e saj për rrymën.
Sipas tyre, Kosova rrezikon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor jashtë korridoreve strategjike të gazit amerikan dhe jashtë arkitekturës së re energjetike e të sigurisë që po ndërtohet në rajon.
“Realiteti është i thjeshtë: nëse nuk zgjedhim SHBA-të, kemi zgjedhur armiqtë tanë. Alternativa kryesore ndaj integrimit në projektet energjetike amerikane mbetet rritja e varësisë nga burime dhe ndikime të tjera malinje gjeopolitike, përfshirë ato ruse’’, thuhet në reagimin e Abdixhikut dhe Osmanit.Qëndrimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një mesazh i qartë për sigurinë dhe të ardhmen strategjike të Kosovës.
Çështja e gazit amerikan nuk është vetëm çështje ekonomike. Nuk ka të bëjë vetëm me çmime më të ulëta, siguri energjetike, vende të reja pune apo zhvillim industrial. Ajo është pjesë e arkitekturës së sigurisë që SHBA-të po ndërtojnë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Sot përballemi me një realitet shqetësues: Kosova rrezikon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor jashtë korridoreve strategjike të gazit amerikan dhe jashtë arkitekturës së re energjetike e të sigurisë që po ndërtohet në rajon.
Realiteti është i thjeshtë: nëse nuk zgjedhim SHBA-të, kemi zgjedhur armiqtë tanë. Alternativa kryesore ndaj integrimit në projektet energjetike amerikane mbetet rritja e varësisë nga burime dhe ndikime të tjera malinje gjeopolitike, përfshirë ato ruse. Prandaj, rreshtimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të reflektohet edhe në politikën tonë energjetike.
Siç e kemi bërë të qartë tash e një kohë, përfshirë gjatë kësaj fushate, LDK është e bindur se interesi shtetëror i Kosovës është i bazuar në partneritet afatgjatë energjetik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, integrim në projektet rajonale të gazit, diversifikim i burimeve energjetike dhe forcim i sigurisë kombëtare. Prandaj, që në fillim të mandatit, do të zbatojmë në plotni këtë politikë shtetërore duke sjellë gazin amerikan në Kosovë.
Energjia është siguri.
Energjia është sovranitet.
Dhe Kosova duhet të jetë pjesë e kësaj aleance, jo jashtë saj.