Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër gjendjen në sektorin e shëndetësisë, duke e cilësuar atë si pasojë të keqqeverisjes dhe korrupsionit gjatë gjashtë viteve të fundit.
Përmes një reagimi publik, Bajrami tha se gjendja reale e shtetit nuk duhet të vlerësohet nga konferencat për media apo shifrat që prezanton qeveria, por nga kushtet në institucionet shëndetësore.
Bajrami theksoi se përgjegjësia për këtë situatë nuk bie mbi mjekët dhe infermierët, të cilët, sipas saj, punojnë në kushte të vështira dhe vazhdojnë ta mbajnë funksional sistemin shëndetësor.
Deputetja e zgjedhur e LDK-së akuzoi pushtetin për keqmenaxhim të fondeve publike, duke thënë se, megjithëse çdo vit në dispozicion ka pasur rreth katër miliardë euro buxhet, shëndetësia vazhdon të përballet me mungesë barnash, materiale mjekësore dhe furnizime bazë.Bajrami vlerësoi se gjendja në shëndetësi "ka emër" dhe e lidhi atë me korrupsionin, ndërsa shtoi se përgjegjësinë politike e mban pushteti aktual, duke përfshirë edhe Komisionin parlamentar për Shëndetësi, i cili, sipas saj, udhëhiqet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Nëse dështon shëndetësia, nuk dështon vetëm qeveria, por dështon shteti”, ka deklaruar Bajrami.