Kosova është renditur në vendin e 84-të nga 180 shtete në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2026, duke shënuar një përmirësim të dukshëm krahasuar me vitin paraprak, kur mbante pozitën e 99-të, transmeton KosovaPress.
Sipas raportit të Reporterëve pa Kufij, megjithëse vendi ka një treg mediatik të larmishëm dhe dinamik, zhvillimi i tij mbetet i kufizuar për shkak të madhësisë së vogël të tregut. Sipas raportit, liria e medias vazhdon të përballet me sfida të shumta, përfshirë ndërhyrjet politike në rregullim, paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), qasjen e kufizuar në informacion publik dhe rreziqet për sigurinë e gazetarëve.
Raporti vë në pah rritjen e padive SLAPP dhe zbatimin e dobët të ligjeve, veçanërisht në lidhje me qasjen në dokumente publike dhe të drejtat e autorit. Ndërsa në aspektin politik, raporti thekson se gazetarët vazhdojnë të përballen me presion dhe sulme, pavarësisht rolit të tyre në mbajtjen e përgjegjshme të institucioneve.
“Rregullatori joefektiv i medias, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), iu nënshtrua një reforme ligjore që u vlerësua si jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Para zgjedhjeve të përgjithshme në fillim të vitit 2025, disa media private u përballën me bojkot nga qeveria, e cila po ashtu kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik RTK... Mediat në gjuhën serbe përballen me sfidën shtesë të një tregu të vogël, ku disa media varen nga financimi nga Serbia fqinje, ndërsa mediat e pavarura nuk do të mund të mbijetonin pa financim ndërkombëtar” thuhet në raport.Raporti trajton edhe aspektin socio-kulturor, ku gazetarët gëzojnë një nivel të caktuar besimi në shoqëri, por shpesh janë objekt i fyerjeve dhe dezinformimit në rrjetet sociale, si dhe i akuzave politike dhe ideologjike.
