Ivan Orlloviq, kryetar i subjektit politik Demokracia Serbe në Kosovë, ka publikuar disa ankesa që, sipas tij, janë marrë nga qytetarë serbë të Kosovës, të cilët pretendojnë se po përballen me ndalime, pyetje dhe vonesa shtesë nga policia serbe gjatë kalimit në vendkalimet kufitare me Serbinë, raporton KosovaPress.
Sipas Orlloviqit, serbët e Kosovës po vendosen nën presion dhe “nën llupën e regjimit serb”, veçanërisht ata që në rrjetet sociale kanë shprehur mbështetje për parti opozitare ose kanë kritikuar pushtetin në Serbi.
“Kushdo që nuk është me Lista Serbe dhe kushdo që është me ndonjë parti tjetër, si dhe kushdo që ka marrë ndonjë ndihmë nga çfarëdo partie tjetër, po ndalohet këto ditë në Jarinjë nga ana e pushtetit serb”, thuhet në një nga ankesat e publikuara nga Orlloviq.


Ai theksoi se liria e mendimit dhe përkatësia politike duhet të jenë të garantuara për çdo qytetar, pa frikë apo pasojat.
Në fund, ai u bëri thirrje mbështetësve të opozitës që të tregohen të kujdesshëm gjatë kalimit nëpër vendkalimet kufitare, duke paralajmëruar se zgjedhjet janë afër.