Presidenti I Turqisë, Recep Tayip Erdogan i ka uruar futbollistët e kombëtares së vendit të tij për kualifikim në finalen e play-offit të eliminatoreve evropiane për Kupën e Botës FIFA 2026.
Në një bisedë telefonike me Ministrin e sportit, Osman Aşkın Bak, Presidentin e Federatës Turke të Futbollit, İbrahim Ethem Hacıosmanoğlu, trajnerin e Kombëtares A, Vincenzo Montella, si dhe me futbollistët e ekipit kombëtar, ai u uroi atyre sukses në përballjen me Kosovën, që do të zhvillohet më 31 mars në Prishtinë.
Burime të KosovaPress brenda kabinetit të presidentit turk, bën me dije se pikërisht për ditën e martë ai ka agjendë të paracaktuar, dhe se një vendim eventual për ndryshimin e saj nuk ka mundësi të merret para të dielës.
Erdogan e kishte vizituar Kosovën në dy raste - më 2010 dhe 2013. Herën e parë, i shoqëruar nga atëbotë kryeministri Hashim Thaçi i kishte vizituar edhe disa xhami, derisa në të dytën, poashtu me Thaçin si nikoqir, mori pjesë në inaugururimin e zgjerimit të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”. Gjatë kësaj vizite edhe e pati dhënë deklaratën: “Kosova është Turqi, Turqia është Kosovë”, si shprehje e miqësisë mes dy shteteve dhe popujve.