Sot janë bërë nëntë vjet nga votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, të iniciuar nga opozita dhe mbështetur nga Partia Demokratike e Kosovës.
Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës ishte vendimtar në rastin e mocionit të opozitës.
Vota e PDK-së për mocionin ka nënkuptuar edhe vendimin për prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryeministrin Isa Mustafa.
Seanca është përshkuar me debate, akuza e polemika ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe LDK-së, deri tani, parti partnere në koalicionin qeverisës.
Partitë opozitare e kanë ‘shënuar’ këtë ditë si një fitore ndaj pushtetit.
Mbi bazën e koalicionit ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, Qeveria e Kosovës, ishte themeluar më 9 dhjetor të vitit 2014, me 73 vota të deputetëve. Marrëveshja e koalicionit përfshinte edhe Listën Serbe dhe partitë e komuniteteve jo-serbe.
Përveç pikave programore për zhvillim ekonomik, zbutjen e papunësisë dhe krijimin e mirëqenies për qytetarët, kjo qeveri kishte marrë edhe zotime ndërkombëtare siç ishin: themelimi dhe nisja e punës së Gjykatës Speciale për krime lufte, vazhdimi i dialogut me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve, me theks në themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe ndërkohë, mori edhe zotimin për ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kushte për liberalizimin e vizave./KosovaPress