Sot shënohen 57 vjet nga një prej arritjeve më të mëdha në historinë e njerëzimit – zbritja e parë e njeriut në Hënë.
Ishte një kohë kur ende kishte ëndrra ku (pothuajse) çdo gjë dukej e mundur, shkruante dikur gazeta gjermane Rheinpfalz në një artikull kushtuar zbritjes së parë të njeriut në Hënë.
“Ky ishte më shumë se kulmi i përpjekjeve të pabesueshme të inxhinierëve dhe shkencëtarëve, që u arrit me një teknologji që sot duket e vjetërsuar.”
Njerëzimi në fakt dukej i aftë për të kapërcyer barrierat e hapësirës dhe kohës.Misioni Apollo 11 u nis më 16 korrik 1969 nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida, me astronautët Neil Armstrong, Buzz Aldrin dhe Michael Collins në bord. Katër ditë më vonë, moduli hënor Eagle u ul në rajonin e njohur si Deti i Qetësisë (Mare Tranquillitatis).
Neil Armstrong u bë njeriu i parë që eci në Hënë, duke shqiptuar fjalët e famshme: "Ky është një hap i vogël për njeriun, por një kërcim gjigant për njerëzimin." Rreth 20 minuta më vonë, atij iu bashkua edhe Buzz Aldrin, ndërsa Michael Collins mbeti në orbitën hënore në modulin e komandës Columbia.
Edhe pas më shumë se pesë dekadash, zbritja e parë në Hënë mbetet një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shkencës dhe teknologjisë, ndërsa programet e reja hapësinore, si Artemis i NASA-s, synojnë rikthimin e astronautëve në Hënë dhe krijimin e një pranie të qëndrueshme njerëzore në sipërfaqen e saj, si hap drejt eksplorimit të Marsit.