Policia mbështeti aksionin për rrënimin e vilave ilegale në Ujman, s’pati telashe
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Policia mbështeti aksionin për rrënimin e vilave ilegale në Ujman, s’pati telashe
Ujman - rrenimi 1
21/07/2026 - 16:10
Linku u kopjua

Aksioni për rrënimin e 11 vilave të ndërtuara në mënyrë të kundërligjshme pranë liqenit të Ujmanit, ka rrjedhur pa telashe.

Procesin e lirimit të pronës së Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”, e siguroi policia, derisa në mesin e objekteve të rrënuara, sipas burimeve të KosovaPress-it, janë edhe dy që iu përkasin kryesuesit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Ivan Zaporozhac, dhe vëllait të tij.

Shefi i Planifikimit në kuadër të Operativës Rajonale policore Mitrovicë – Veri, Erduan Baliqi, ka bërë të ditur se në terren nuk u shënua ndonjë incident.

“Ajo çfarë mund të deklarojmë ne është se nga orët e mëngjesit kemi asistuar për Ibër-Lepencin. Këtu jemi për shkaqe sigurie, ndërsa Ibër-Lepenci është duke i kryer punët e veta. Deri më tani nuk kemi pasur ndonjë incident ose ndonjë problem. Aktualisht janë duke u rrënuar, pothuajse janë në përfundim të rrënimit të këtyre 10 vilave që janë këtu, mirëpo deri tash çdo gjë ka shkuar në rregull dhe nuk është paraqitur nevoja për të intervenuar. Ne kemi pasur kërkesë vetëm për sot, ndërsa për ditët në vijim nuk mund të parashohim derisa të kemi një kërkesë të tillë”, tha Baliqi.

Kryeshefi ekzekutiv i Ibër-Lepencit, Faruk Mujka, ka konfirmuar për KosovaPress se aksionin janë duke e zhvilluar Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës .

Ai bëri të ditur se 11 personave që kishin ndërtuar objekte në pronën e Ibër-Lepencit u ishte kërkuar që më 3 korrik t’i largonin të gjitha gjërat nga këto objekte dhe t’i lironin ato më së largu deri më 17 korrik.

Disa pronarë të këtyre objekteve janë lejuar që t’I largojnë gjësendet që mund t’I shpëtonin pa e penguar aksionin.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026