“Sa më shumë na bllokojnë, aq më shumë po rritemi”, deklarata e Kurtit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
“Sa më shumë na bllokojnë, aq më shumë po rritemi”, deklarata e Kurtit
09/05/2026 - 12:55
Linku u kopjua
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje synon rritje edhe më të madhe në zgjedhjet e ardhshme, duke thënë se partia mund të arrijë deri në 60 përqind të votave në zgjedhjet e qershorit.
Kurti e nisi fjalimin në Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se në zgjedhjet e qershorit, mund t’i marrin 60 përqind të votave.
“Nesër bëhen katër javë para zgjedhjeve të reja e të jashtëzakonshme, të cilat vijnë saktësisht pesë muaj pas zgjedhjeve të kaluara, kur ne shënuam 51% të votave. Ato erdhën 10 muaj pas zgjedhjeve ku fituam 42% të votave. Pra, nga shkurti deri në dhjetor u rritëm për 9%, dhe nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor, atëherë mund të prekim edhe 60%. Nëse punojmë ashtu siç dimë ne, me sinqeritet dhe përkushtim, edhe kjo është e mundur. Sa herë që po na bllokojnë, ne po rritemi, ndërsa ata po marrin përgjigje edhe më të fortë nga populli. Duket sikur dikush, ndoshta ndonjë strateg që vepron nga prapaskena, mendon se zgjedhjet janë të domosdoshme. Ndoshta janë për dikë, por jo për popullin dhe shtetin. Kjo po ndodh sepse përballë nesh kemi një opozitë që nuk mund ta mundë popullin, prandaj ka zgjedhur ta bllokojë shtetin”, tha ai.
Sipas tij, vullneti i popullit nuk është një nen kushtetues që mund ta shkelë dikush.
Ai shtoi se pas zgjedhjeve të 7 qershorit ata sërish do të kërkojnë një president jopartiak.
Kurti tha se gjatë mandatit qeveria ka rritur buxhetin nga 2.4 miliardë euro në 4 miliardë euro, por nuk e la pa përmendur edhe rritjen e pagës minimale, super punës dhe shtesat e fëmijëve, duke theksuar se punësuan mbi 80 mijë punëtorë të rinj brenda 5 viteve.
/Kosovapress/