Dy drejtorë nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë bërë të ditur se në zyrën në Mitrovicën e Veriut deri tani janë pranuar mbi 500 aplikacione për pajisje me leje qëndrimi, ndërsa janë marrë edhe vendimet e para lidhur me këto kërkesa.
Këto deklarime u bënë në një tryezë të rrumbullakët për të drejtat e njeriut, të organizuar nga organizata joqeveritare “Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike” (ACDC), në kuadër të projektit “Ndërtimi i besimit përmes të drejtave të njeriut”.
Drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migrim, Valon Krasniqi, tha se është rritur numri i stafit në këtë zyrë dhe procesi po zhvillohet mirë.
Ndërkaq, drejtori i Departamentit Ligjor në MPB, Qëndrim Bytyqi, tha se deri më tani nuk ka asnjë refuzim, pasi zyrtarët kanë kontaktuar aplikuesit kur ka munguar dokumentacioni.Bytyqi foli edhe për regjistrimin civil dhe aplikimet për shtetësi.
Ndërsa, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se procesi i zbatimit të ligjit po ecën mirë dhe deri tani janë shqiptuar 224 vërejtje dhe 21 gjoba.