“Rrnofshin çerdhet”, “Hapni çerdhet”, “Fëmijët nuk kanë faj”, ishin disa nga pankartat që shoqëruan prindërit nga qeveria deri te zyrat e SBAShK-ut. Këshilli i Prindërve të Institucionit Parashkollor “Gëzimi Ynë" në Prishtinë ka protestuar gjatë së enjtes me të vetmen kërkesë për ndërprerjen e grevës. Para prindërve jo, por pas përfundimit të protestës, nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit u tha se prindërit duhet të bëjnë presion tek institucionet.
Me dhjetëra protestues kanë nisur protestën e tyre nga objekti i Qeverisë së Kosovës e më pas në drejtim të zyrave të SBAShK-ut.
“Çerdhet më pak janë diskutuar, më shumë janë diskutuar shkollat. Por, neve çka po na mundon më së shumti është se janë bërë shumë ditë që nuk janë hapur çerdhet dhe fëmijët po fillojnë të humbin interesimin për të shkuar në çerdhe. E kuptojmë grevën, e respektojmë atë por nëse ka mundësi disi, meqë tani po i kuptojmë edhe kërkesat e tyre të na hapen çerdhet, së paku ndërtesat që të futen fëmijët tanë. Gjë që ka edhe plot prindër që janë interesuar të mbajnë mësim për ta. Por më e mira e së mirës do të ishte që mësuesit të kthehen dhe të mbajnë mësim për fëmijët tanë”, ka deklaruar ajo.
Ajo tha se pret që të dalë dikush nga SBAShK dhe të diskutojnë në lidhje me kërkesat e tyre. Megjithatë, gjatë kohës sa prindërit kanë protestuar para objektit të kësaj sindikate një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Mendoj se prindërit presionin duhet ta bëjnë te institucionet, sepse ata janë përgjegjës për të vazhduar procesin mësimor. Ne i mbrojmë interesat e të punësuarve, në këtë rast janë shkelur të drejtat e punëtorëve dhe nuk po plotësohen kërkesat e tyre për shkak të inflacionit të madh dhe nuk po plotësohen kërkesat, për këtë arsyeje greva vazhdon...Nuk kemi pasur asnjë ftesë prej prindërve për t’i takuar për shkak se ne me prindër takohemi gjithandej Kosovës dhe jemi shumë të hapur për biseda me ta, por çelësi nuk është tek ne”, ka theksuar Ymeri.
I pyetur se pse nuk i takoi askush nga SBAShK-u prindërit protestues, ai tregoi se kanë qenë duke përcjellë zhvillimet në seancën e sotme plenare.
Regjisorja Blerta Zeqiri ka marshuar nga Qeveria e Kosovës në drejtim të zyrave të SBAShK-ut për të kërkuar hapjen e çerdheve.
Ajo tha për KosovaPress se të gjithë kanë të drejtë që të kërkojnë të drejtat e tyre, megjithatë thekson se fëmijët kanë filluar të çrregullohen.
Në pankartën e skenaristet dhe regjisores, Getoarbë Mulliqit që ka mbajtur në duar gjithë rrugës nga qeveria e në drejtim të SBAShK-ut shkruante “rrnofshin gjyshërit”. Ajo tha se gjatë gjithë kësaj kohe po kujdeset për vajzën e saj, gjyshi. Po ashtu, ka shtuar se shumë nënave po u rrezikohet vendi i punës.
“Gjatë gjithë kohës për Evën po kujdeset babi, mirëpo edhe babi do të fillojë tash me punë intensive dhe nuk e di se si do t’ia bëjë. Sepse edhe në fillim të vitit për shkak të pandemisë kur kopshti është mbyllur dy herë mua më është dashur të qëndrojë në shkollë me Evën, gjë që rrezikon edhe vendin e punës dhe performancën. Është e dhimbshme se si është viti i tretë për fëmijët, sepse Eva tash është në parashkollor, që për Evën nuk ka 1 shtator. Nuk e di ndjenjën e 1 shtatorit dhe të kthimit në çerdhe. Unë e kuptoj qëllimin e një greve, mirëpo është mirë të kemi konsideratë për fëmijët në këtë rast”, u shpreh ajo.
“Arsyeja e protestës është që gati një muaj janë mbyllur kopshtet edhe për neve si prindër është e pa arsyeshme dhe e pa përballueshme dhe për këtë arsyeje kemi dashur që të bëjmë një protestë simbolike me qëllim që kërkesat tona të reflektojnë para qeverisë... Pasojat janë normalisht se na është dashur që të marrim pushime vjetore edhe normalisht dihet se ne që jemi në sektor privat nuk mundemi me marr edhe aq pushime sa duam. Shumica është dashur t’i dërgojmë edhe në kopshte private ku është dashur të paguajmë në suaza ditore”, ka theksuar ajo.
Kujtojmë se nga data 15 e muajit të kaluar ka nisur greva e shpallur nga Bashkimi i Sindikata të Pavarura të Kosovës. /Sh.Pajaziti