Gjithsej 346 pacientë kanë përfituar nga terapia fikse ortodontike në Klinikën e Ortodoncisë të Qendrës Klinike Stomatologjike të Kosovës (QKSK) nga janari i vitit 2026 e deri më tani, bëhet e ditur në komunikatën për media, raporton KosovaPress.
Sipas njoftimit të QKSK-së, terapia fikse ortodontike realizohet përmes aparateve fikse (briketave), të cilat përdoren për korrigjimin e anomalive dentare dhe nofullore. Trajtimi synon përmirësimin e okluzionit, raporteve ndërnofullore, si dhe funksioneve të përtypjes, të folurit dhe frymëmarrjes, në rastet kur ato janë të dëmtuara nga anomalitë ortodontike.
Në QKSK theksojnë se trajtimi planifikohet veçmas për secilin pacient, duke marrë parasysh moshën, llojin dhe shkallën e anomalisë, si dhe nevojat funksionale dhe estetike. Sipas institucionit, diagnostikimi dhe ndërhyrja në kohë janë faktorë të rëndësishëm për arritjen e rezultateve të qëndrueshme dhe ruajtjen e shëndetit oral.