Më 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut - NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.
Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26 krerët e shteteve dhe Qeverive të Aleancës gjatë një seance të posaçme të Samitit të NATO-s Bukuresht, nëpërmjet të cilit Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të fillonin bisedimet për anëtarësimin. Ky vendim erdhi pas mbylljes të ciklit të 9-të të Planit të Veprimit për Anëtarësimin (MAP) të Shqipërisë me NATO-n dhe pas kryerjes të një sërë reformave që synonin plotësimin e kritereve të nevojshme për anëtarësimin në Aleancë.
Më 25 prill 2008 Shqipëria dhe Kroacia nisën zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në NATO. Agjenda e këtyre bisedimeve përfshinte çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore që të dy vendet trajtuan me ekspertët e Aleancës, me qëllim rikonfirmimin e vullnetit të tyre për të përmbushur në të ardhmen të gjitha detyrimet që lidheshin me anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancë.Periudha e përgatitjes për anëtarësim shërbeu për intensifikimin e përpjekjeve nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë për të thelluar në të gjitha drejtimet reformën e mbrojtjes, duke përshpejtuar realizimin e prioriteteve sipas standardeve të NATO-s. Kështu, u punua me përparësi për plotësimin e kuadrit të dokumenteve bazë strategjike të rishikuara, si Strategjia Ushtarake, Plani Afatgjatë i Zhvillimit të FARSH 2007-2020, Udhëzimi për Planifikimin Strategjik 2008, etj.
Më 9 korrik 2008, të 26 vendet anëtare të NATO-s nënshkruan gjatë një ceremonie në selinë e NATO-s në Bruksel Protokollet e Anëtarësimit me Shqipërinë dhe Kroacinë, akte këto juridike që i bashkëngjiten Traktatit të Uashingtonit duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm institucional për anëtarësimin e të dy vendeve në Aleancën Atlantike.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka rritur kontributin e saj në misionin KFOR të udhëhequr nga NATO në vendin tonë. Shqipëria i ka kushtuar dhe kushton vëmendje të veçantë mbështetjes së bashkëpunimit të NATO-s me Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe procesit politiko-ushtarak të ridimensionimit të rolit të KFOR-it në Kosovë.