143 vjet më parë në Qytezë të Edrenesë u lind Fan Stilian Noli, një nga personalitetet më të shquara të kombit shqiptar.
Ai kujtohet si një figurë e madhe dhe e shumanshme e letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe politikës shqiptare.
Fan Noli shkroi drama, botoi artikuj në gazetën “Drita”, përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë ç ‘është e ç’do të bëhet”, shkoi në SHBA, ku luajti rol në bashkimin e shoqërive shqiptare dhe për botimin e gazetës “Kombi”.
Në këto vite krijoi vargjet e para dhe nisi shqipërimet. Megjithëse jetoi larg Shqipërisë ai dha shumë për të. Rolin kryesor Noli e luajti në pozicionin e tij si prift. Ai e mori këtë detyrë në moshën 27-vjeçare kur shqiptarëve ortodoksë të Amerikës po u humbte durimi nga kontrolli grek mbi kishën.Ndërkohë, ai bashkëpunonte në gazeta, mbante ligjërata, organizonte shoqëri patriotike, të cilat, më 1912, u bashkuan në federatën pan-shqiptare “Vatra”. Atë vit kreu studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit.
Në vitin 1913, Fan Noli vizitoi për herë të parë Shqipërinë dhe kreu të parën shërbesë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në prani të princit Vilhelm Vid.
Me rrëzimin e qeverisë së tij nga forcat e Zogut, Noli u largua përgjithmonë nga Shqipëria. Dashurinë për popullin dhe atdheun ia ushqeu rrethi familjar. Kultura e gjerë që mori i dha atdhetarizmit te tij përmbajtje të përparuar. Luftën për çlirim kombëtar ai e konceptonte si luftë me armë dhe me pene.
Pikëpamjet mbi organizimin e shtetit, politikën e brendshme dhe të jashtme i shtjelloi në shkrime dhe fjalime të viteve 1921-1924. Luftoi që shteti të vinte në jetë parimet e demokracisë së përparuar.
Fan Noli është një nga figurat më të shquara të kulturës kombëtare. Me veprimtarinë e shumanshme, ai dha ndihmesë të çmuar në formimin e kulturës demokratike shqiptare.
Fan Noli është një ndër mjeshtrit e poezisë shqiptare , lirikat e tij ngërthejnë përgjithësime të rëndësishme artistike. Ai shprehu aspiratën e shtresave demokratike për liri dhe tokë, për drejtësi dhe përparim.
Lirikat politike të Fan Nolit ushtojnë nga besimi i patunduri poetit në fitoren mbi armiqtë e vendit dhe drejt përparimit. Fan Noli i kushtoi vëmendje të posaçme edhe studimeve historike.
Fan Noli la përkthime mjeshtërore të veprave të shkrimtarëve të shquar përparimtarë botërorë, si Shekspiri, Ibseni, Servantesi, etj. Vdiq në Florida të SHBA-së më 13 mars 1965, në moshën 83-vjeçare.
Ai ishte i lidhur gjatë gjithë jetës me popullin e tij, të cilit i njohu vuajtjet, e thirri në luftë dhe i admiroi fitoret. Ai la gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit tonë e të kulturës së tij.