Tare e pranon fajin për dështimin e Milanit
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Tare e pranon fajin për dështimin e Milanit
Ish-drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka folur për herë të parë publikisht pas largimit të tij nga klubi italian, duke pranuar se ndien përgjegjësi për dështimin e kuqezinjve për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.
Tare, i cili u shkarkua nga detyra pak më shumë se dy javë më parë, ishte i ftuar në darkën e fundsezonit të “Milan Club Old Clan”, ku kujtoi periudhën e tij njëvjeçare te Milani dhe falënderoi tifozët për mbështetjen e treguar.
“E pranova këtë ftesë me kënaqësi dhe nder të madh sepse, kur mbërrita vitin e kaluar, takimi im i parë ishte me ju dhe menjëherë mora atë që kam dashur gjithmonë: dashurinë për këtë fanellë dhe këto ngjyra”, deklaroi Tare.
Ai nuk e fshehu zhgënjimin për faktin se Milani nuk arriti objektivin kryesor të sezonit, sigurimin e një vendi në Ligën e Kampionëve.
“Ndihem pak fajtor sepse, në ditën e fundit, nuk arritëm ta çonim Milanin në Ligën e Kampionëve. Por një gjë mbetet: Milani është më i madh se të gjithë ata. Dhe edhe nëse ishte vetëm për një vit, ishte një nder i madh për mua të punoja për këtë klub dhe ju do të jeni në zemrën time kudo që të jem”, u shpreh ai.
Milani e mbylli sezonin në vendin e pestë të kampionatit italian, duke mbetur jashtë garës më prestigjioze evropiane për klube, çka solli ndryshime të menjëhershme në strukturat drejtuese të klubit.
KosovaPress