Sulmuesi anësor i Leipzigut, Yan Diomande, pritet të jetë një prej emrave më të kërkuar në afatin kalimtar veror, me disa prej klubeve më të mëdha evropiane që kanë shfaqur interesim për shërbimet e tij.
Reprezentuesi i Bregut të Fildishtë ka tërhequr vëmendjen pas një sezoni të jashtëzakonshëm në Bundesligë dhe paraqitjeve të tij në Kupën e Botës 2026. Paraqitjet e tij kanë bërë që Real Madridi, Paris Saint-Germaini, Arsenali dhe Liverpooli të futen në garë për transferimin e tij.
Pavarësisht deklaratave të drejtuesve të Leipzigut se lojtari nuk është në shitje, vetë Diomande ka pranuar se pret një largim gjatë kësaj vere. Ai ka bërë të ditur se për momentin është i fokusuar te Kombëtarja, ndërsa për të ardhmen do të kujdeset agjenti i tij.
“Pres të largohem, sigurisht. Kam një agjent dhe ai do të merret me pjesën tjetër. Për mua, më e rëndësishmja tani është përqendrimi te Kupa e Botës me vendin tim”, ka thënë Diomande.Gara për shërbimet e talentit afrikan është bërë edhe më interesante pas përfshirjes së Arsenalit, i cili kërkon përforcime në repartin ofensiv, ndërsa Liverpooli gjithashtu vazhdon ta monitorojë situatën.
Diomande pritet të jetë një nga transferimet më të bujshme të kësaj vere, me Leipzigun që do të kërkojë një shumë të konsiderueshme për të lejuar largimin e një prej talenteve më premtues të futbollit evropian.