​Rice i gatshëm për të qenë titullar ndaj Argjentinës
5-Fifth
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
​Rice i gatshëm për të qenë titullar ndaj Argjentinës
declan rice
15/07/2026 - 13:49
Linku u kopjua

Përzgjedhësi i Anglisë, Thomas Tuchel, ka konfirmuar se mesfushori Declan Rice është rikuperuar plotësisht nga sëmundja dhe është i gatshëm për të nisur nga minuta e parë në gjysmëfinalen vendimtare të Kupës së Botës kundër Argjentinës.

Anglia do të përballet sonte me Argjentinën e Lionel Messit në Atlanta, në një duel që do të përcaktojë finalistin e dytë të turneut, ku fituesi do të ndeshet me Spanjën në finalen e së dielës në stadiumin “MetLife”.

“Tre Luanët” siguruan kualifikimin në gjysmëfinale pas fitores 2-1 ndaj Norvegjisë pas vazhdimeve, në një ndeshje ku Rice u zëvendësua në pushimin mes pjesëve për shkak të gjendjes së tij fizike.

Pas çerekfinales, Tuchel kishte zbuluar se mesfushori i Arsenalit kishte qenë i shtrirë në shtrat për tri ditë për shkak të një sëmundjeje, e cila e kishte prekur pas ndeshjes së 1/8 së finales në Meksikë. Rice gjithashtu ka vuajtur nga një shqetësim në muskulin e pasmë të kofshës që nga periudha e Krishtlindjeve.

Megjithatë, ai është stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës në bazën e Anglisë në Kansas City, para udhëtimit drejt Atlantës. Duke folur pas mbërritjes në Atlanta, Tuchel konfirmoi se skuadra është pothuajse e plotë për sfidën ndaj Argjentinës.

“Të gjithë janë të gatshëm për të startuar. Të gjithë ishin në stërvitje. Përveç Jarellit, që është i pezulluar, dhe Jordan Hendersonit, të gjithë janë në dispozicion”, deklaroi Tuchel.

I pyetur nëse Rice është rikuperuar plotësisht, tekniku anglez u përgjigj me buzëqeshje.

“Po, ai është gati për të startuar dhe është rikuperuar sa më mirë që ishte e mundur”, tha Tuchel.

Mesfushori me përvojë Jordan Henderson ishte lojtari i vetëm nga lista prej 26 futbollistëve që nuk u stërvit, pasi iu nënshtrua një operacioni në krah pas rrëzimit të rëndë që pësoi në Meksikë.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026