​Punëtori humb jetën gjatë rinovimit të Camp Nou, Barcelona ofron ndihmë për familjarët
5-Fifth
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
​Punëtori humb jetën gjatë rinovimit të Camp Nou, Barcelona ofron ndihmë për familjarët
camp nou
25/07/2026 - 17:57
Linku u kopjua

Një punëtor ndërtimi ka humbur jetën gjatë punimeve për rinovimin e stadiumit “Spotify Camp Nou”, ka konfirmuar Barcelona përmes një deklarate zyrtare.

Viktima, 54-vjeçar, ishte pjesë e ekipit që po punon në projektin e madh të rikonstruktimit të stadiumit, i cili ka nisur në qershor të vitit 2023. Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, ai dyshohet se ishte duke kryer punime lyerjeje nga një platformë ngritëse kur ndodhi aksidenti fatal.

Në reagimin e saj, Barcelona shprehu pikëllimin për ngjarjen dhe u ofroi mbështetje familjarëve të viktimës.

“FC Barcelona shpreh keqardhjen e thellë për vdekjen e punëtorit që humbi jetën në aksidentin në vendin e punës gjatë punimeve të rinovimit në Spotify Camp Nou”, thuhet në deklaratën e klubit.

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, u ka shprehur personalisht ngushëllime familjarëve të viktimës dhe ka bërë të ditur se klubi do të ofrojë çdo ndihmë të nevojshme në këtë periudhë të vështirë.

Autoritetet katalanase kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit. Sipas procedurave standarde për aksidentet me pasoja fatale në vendin e punës, në hetim janë përfshirë gjykata kompetente dhe Departamenti i Biznesit dhe Punës i Katalonjës.

Ky është rasti i parë me fatalitet i regjistruar në kantierin e “Spotify Camp Nou” që nga fillimi i projektit të rinovimit. Punimet në stadium përfshijnë modernizimin e plotë të objektit dhe rritjen e kapacitetit në rreth 105 mijë ulëse, duke e shndërruar atë në një nga stadiumet më moderne në botë.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026