​Në sportin e Kosovës vazhdon të jetë e pranishme dhuna
Sport
Lexohet për: 4 min.
Komisioni
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Në sportin e Kosovës vazhdon të ketë raste të dhunës, sidomos tek sportet e rangut më të ulët ku kjo dukuri konsiderohet që është më e shprehur.

Kështu u tha në Komisionin për të Drejtat e Njeriut ne mbledhjen e mbajtur sot. Kryetarja e këtij komisioni, Duda Balje në hapje të mbledhjes kërkoi shpjegime për veprimet që ndërmerren kundër akterëve që ushtrojnë dhunë në sport duke vënë theksin tek rasti i fundit i dhunës kur trajneri kosovar i taekkvandos goditi me shuplake garuesen, njëkohësisht edhe vajzën e tij.

“Si është gjendja në Kosovë, a kemi dhunë në sport, nëse kemi cilat janë procedurat kush është përgjegjës për këtë edhe a kemi masa disiplinore dhe si ne e trajtojmë personin i cili bënë dhunë. Kemi kuptuar se personi i cili ka bërë dhunë ka marrë dënim vetëm gjashtë muaj dhe 100 euro që për ne është shumë pak”, tha Balje.

Për rastin ën fjalë, përfaqësuesi i Ministrisë së Sportit në këtë komision, Rinor Haxha tha se tashmë me atë po merret prokuroria kompetente.

“Sa i përket incidentit të cilit iu referuat unë mund të përmend reagimin e ministrit dhe zëvendësministres të cilët e po ashtu edhe veprimet e Këshillit kundër Dhunës në Sport...të cilët e kanë referuar rastin te prokuroria kompetente dhe kanë kërkuar nga Federata e Taekvandos që të marrin masa ndaj trajnerit”, tha Hoxha.

Hoxha shtoi se rastet e dhunës po shfaqen kryesisht te sportet e rangut më të ulët.

“Ka raste të tilla që ndodhin në Kosovë, të gjithë i përcjellim rastet dhe ngjarjet sportive dhe e shohim që sidomos në rangje më të ulëta të sporteve shpeshheerë eskalon situata sa që duhet intervenimi i organeve të rendit për ta kthyer situatën nën kontroll, kurse ky projektligj e adreson edhe një aspekt tjetër që është në përgjithësi dhuna ndaj sportistëve pavarësisht a ndodh gjatë organizimit të ngjarjeve sportive apo edhe në konteste të tjera në sport sepse e dimë që sportistët garën e kanë atë pjesën kulminante, por ata trajnohen shumë edhe kanë komunikim me persona të ndryshëm që i ndihmojnë ata për t’u përgatitur për garë dhe në bazë të analizave që i kemi bërë atëherë kemi parë këto dukuri janë të shprehura në Kosovë”, tha Hoxha.

Por, ai tha se me Ligjin e ri për Sport që pritet të futet së shpejti në fuqi parashihet disa masa të rrepta kundër dhunës në sport.

“Disa prej masave konkrete që projektligji parasheh që të miratohet një strategji për parandalimin dhe sanksionimin e dukurive negative në sport, pastaj të caktohet në çdo federatë zyrtar për integritet apo zyrtar përkatës kundër dukurive negative në sport...në projektligj është paraparë që të shkojë rasti edhe te Këshilli kundër Dhunës”, bëri të ditur Hoxha.

Sekretari i Federatës së Boskit, Latif Demolli tha se kjo federat ka rregulla të brendshme që e rregullojnë këtë çështje.

“Ne kemi rregullore te posaçme të brendshme të Federatës së Boksit dhe i kemi shumë të ashpra. Vetëm me një fyerje të boksierit apo trajnerit automatikisht një vit largohet nga marrja me këtë lëmi, kurse sa i përket dhunës, ndonjë shuplakë apo kacafytje, tërë jetën nuk ka të drejtë të marrë pjesë në këtë lëmi”, theksoi Demolli.

Ndryshe, Projektligji i ri për Sport tashmë i është dorëzuar Kuvendit të Kosovës dhe pritet miratimi i tij në lexim të dytë..

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024