​Mësuesi kundër nxënësit, përballen në finalen e Botërorit
5-Fifth
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
​Mësuesi kundër nxënësit, përballen në finalen e Botërorit
luis de la fuente-scaloni
17/07/2026 - 11:57
Linku u kopjua

Finalja e Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës nuk do të sjellë vetëm një duel mes dy prej kombëtareve më të forta në botë, por edhe një histori të veçantë mes dy trajnerëve në stol.

Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, ishte mentori kryesor i Lionel Scalonit gjatë kohës kur argjentinasi po ndiqte kursin për licencën UEFA Pro në akademinë e Federatës Spanjolle të Futbollit në Las Rozas, në vitin 2017.

Scaloni, i cili sapo kishte përfunduar karrierën si futbollist, hodhi hapat e parë drejt profesionit të trajnerit nën udhëheqjen e De la Fuentes, atëherë përgjegjës për ekipet zinxhir të Spanjës. Tash, vite më vonë, mësuesi dhe ish-nxënësi do të jenë rivalë në ndeshjen më të rëndësishme të futbollit botëror.

Pas fitores 2-0 të Spanjës ndaj Francës në gjysmëfinale, De la Fuente theksoi se do të ishte i lumtur të përballej me Argjentinën në finale, jo sepse e konsideronte një kundërshtar më të lehtë, por për shkak të marrëdhënies së veçantë që ka me Scalonin.

Nga ana tjetër, Scaloni ka folur vazhdimisht me respekt për trajnerin spanjoll, duke theksuar se ai ka qenë një mbështetje e madhe gjatë procesit të licencimit si trajner.

“Luis ka qenë një ndihmë e madhe për të gjithë ne që ndoqëm kursin në Las Rozas. Kam biseduar me të dhe i uroj çdo të mirë”, kishte deklaruar Scaloni.

Respekti është i ndërsjellë. De la Fuente e ka vlerësuar vazhdimisht Scalonin për mënyrën se si e ka udhëhequr Argjentinën drejt sukseseve në arenën ndërkombëtare.

Përzgjedhësi argjentinas ka gjithashtu një lidhje të fortë me Spanjën. Bashkëshortja e tij është spanjolle, fëmijët e tij kanë lindur në Spanjë dhe familja jeton në Mallorca. Ai ka luajtur gjithashtu për disa klube spanjolle, përfshirë Deportivo La Coruña, Racing Santander dhe Mallorca.

Në prag të finales, Scaloni u shpreh i lumtur për suksesin e ish-mentorit të tij.

“Ai e meriton këtë. Është një njeri i shkëlqyer. Gjithçka që shohim te kombëtarja e tij është ajo që ne dëshirojmë të shohim edhe te skuadra jonë”, deklaroi Scaloni.

Megjithatë, të dielën miqësia do të lihet mënjanë, pasi De la Fuente dhe Scaloni do të synojnë të udhëheqin kombëtaret e tyre drejt trofeut më prestigjioz në futbollin botëror. Spanja synon titullin e dytë të Kupës së Botës, ndërsa Argjentina kërkon të bëhet kombëtarja e parë që nga Brazili i vitit 1962 që mbron me sukses titullin botëror.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026