​Courtois mbron Lammensin pas gabimit ndaj Spanjës
5-Fifth
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
​Courtois mbron Lammensin pas gabimit ndaj Spanjës
courtois lammens
11/07/2026 - 08:52
Linku u kopjua

Portieri i Belgjikës, Thibaut Courtois, ka dalë në mbrojtje të zëvendësuesit të tij, Senne Lammens, pas gabimit në fund të ndeshjes që i dha Spanjës fitoren 2-1 ndaj Belgjikës në çerekfinalen e Kupës së Botës.

Courtois u largua nga ndeshja në minutën e 71-të pasi u ankua për një problem muskulor, duke i lënë vendin portierit 24-vjeçar. Megjithatë, Lammens nuk arriti të kontrollonte një goditje nga distanca të Pau Cubarsit, ndërsa Mikel Merino shfrytëzoi topin e kthyer për të shënuar golin e fitores në minutën e 88-të.

Pas ndeshjes, Courtois i doli në mbrojtje bashkëlojtarit të tij.

“I dhashë një përqafim të madh. Ai është një portier i shkëlqyer. Nga kjo situatë vetëm sa bëhesh më i fortë . Në fund, nuk mund t’i thuash shumë më tepër ose t’i japësh më shumë këshilla. Ai është një djalë i fortë, me personalitet të fortë. Jam i sigurt se do të jetë mirë. E dini, ai do të ketë disa ditë pushim dhe më pas do të rikthehet në Manchester për të zhvilluar një sezon të shkëlqyer”, tha Courtois.

Courtois zbuloi gjithashtu se kishte ndier dhimbje në këmbën e djathtë në fillim të pjesës së dytë, pas një largimi të topit, por kishte dashur të vazhdonte ndeshjen.

“Natyrisht, doja të vazhdoja, por trajneri donte dikë që ishte 100 për qind i gatshëm. Doja të provoja të luaja edhe pesë ose dhjetë minuta, sepse ndihesha mirë. Po bëja pritje dhe kjo nuk po më pengonte t’i bëja ato. Pra, ky ishte vendimi i trajnerit dhe nuk është problem. Natyrisht që nuk je i lumtur kur duhet të largohesh nga një çerekfinale e Kupës së Botës. Por, ndonjëherë kështu janë gjërat. Nuk mund ta ndryshosh”, tha ai.

Mbështetje për Lammensin shprehu edhe mbrojtësi Brandon Mechele.

“Është një moment nga i cili ai duhet të mësojë. Nuk ishte topi më i lehtë. Mendoj se ai kërcen pikërisht para tij. Edhe ne si mbrojtës mund ta kishim ndihmuar duke reaguar më shumë pas topit. Prandaj, ai duhet të mësojë nga kjo dhe ne si grup duhet të jemi pranë njëri-tjetrit dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin”, tha Mechele.

Courtois po luante ndeshjen e tij të 21-të në Kupën e Botës, e dyta më e shumta në historinë e turneut për portierët, pas Manuel Neuer të Gjermanisë.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026