Kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, ka vlerësuar maksimalisht talentin e ri spanjoll Lamine Yamal, duke e cilësuar atë si një nga futbollistët më të mirë në botë, në prag të finales së Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës.
Në konferencën për media të organizuar në kuadër të Fanatics Fest në Nju Jork, Messi u ngjit në skenë së bashku me legjendën e NFL-së, Tom Brady, i cili e pyeti për fotografinë e famshme ku argjentinasi shihet duke larë në vaskë Yamalin, atëherë foshnjë.
“E shijova shumë ta shihja sërish atë fotografi. Është e pabesueshme si funksionon jeta. Kam bërë një fotografi me të kur ishte vetëm foshnjë, ndërsa tani të dy po garojmë në një finale të Kupës së Botës”, deklaroi ai.
Mes thirrjeve “Visca Barca!” nga të pranishmit, Messi shprehu edhe një herë dashurinë për Barcelonën, klubin ku shkroi historinë e karrierës së tij.Ai theksoi se Yamal, pavarësisht moshës së re, tashmë është një prej figurave më të rëndësishme të futbollit botëror.
“Ai është një nga figurat më të rëndësishme të futbollit botëror dhe ka gjithë karrierën përpara. Ka një mundësi të madhe të arrijë diçka historike të dielën, por ne do të bëjmë maksimumin që kjo të mos ndodhë këtë herë. Gjithsesi, i uroj vetëm më të mirat”, u shpreh kapiteni argjentinas.
Finalja e Kupës së Botës 2026 ndërmjet Argjentinës dhe Spanjës zhvillohet të dielën, më 19 korrik, në stadiumin MetLife në New Jersey, me fillim nga ora 21:00 sipas kohës së Evropës Qendrore. Argjentina synon të mbrojë titullin botëror, ndërsa Spanja kërkon të rikthehet në majën e futbollit botëror.