​Mbyllet në Ferizaj BVA U17 Kampionati Ballkanik i Volejbollit për Vajza
5-Fifth
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
​Mbyllet në Ferizaj BVA U17 Kampionati Ballkanik i Volejbollit për Vajza
u17 volejboll
25/07/2026 - 19:48
Linku u kopjua

Me ceremoninë solemne të ndarjes së medaljeve dhe çmimeve individuale është mbyllur BVA U17 Kampionati Ballkanik i Volejbollit për Vajza, i cili për pesë ditë me radhë solli në Ferizaj garë cilësore dhe rivalitet mes përfaqësueseve të rajonit.

Përfaqësuesja e Turqisë u shpall kampione e këtij edicioni, pasi dominoi turneun dhe e përfundoi garën në vendin e parë, duke merituar medaljet e arta. Vendin e dytë e zuri Mali i Zi, i cili u stolis me medaljet e argjendta, ndërsa Bullgaria e mbylli kampionatin në pozitën e tretë dhe fitoi medaljet e bronzta.

Medaljet e bronzta për Bullgarinë u dorëzuan nga nënkryetari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Xhafaj, dhe supervizori i BVA-së, Filip Despotovski. Medaljet e argjendta për Malin e Zi u ndanë po nga Valon Xhafaj dhe Filip Despotovski, ndërsa medaljet e arta për Turqinë u dorëzuan nga sekretari i përgjithshëm i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikqi, dhe drejtori i Urbanizmit në Komunën e Ferizajt, Arbër Bytyqi.

Në ceremoninë përmbyllëse u ndanë edhe çmimet individuale për lojtaret më të spikatura të kampionatit.

Çmimi “Fair Play” i takoi volejbollistes së Kosovës, Njola Babuni. Liberoja më e mirë u shpall Magdalena Bogdanova nga Bullgaria, ndërsa bllokuesja më e mirë e mesit ishte Nejla Guzonjic nga Turqia.

Çmimi për sulmuesen më të mirë të jashtme iu nda Elena Jovanovicit nga Mali i Zi, ndërsa si “Opposite” më e mirë u vlerësua Cagla Caglayandere nga Turqia. Organizatorja më e mirë e lojës (setter) u shpall Nadja Pekovic nga Mali i Zi.

Titulli i lojtares më të vlefshme të turneut (MVP) i takoi Selis Ecrin Turkyasar nga Turqia, e cila u vlerësua për paraqitjet e saj gjatë gjithë kampionatit.

Organizatorët vlerësuan se kampionati u zhvillua me sukses, duke sjellë në Ferizaj volejboll cilësor, frymë sportive dhe bashkëpunim mes federatave të vendeve pjesëmarrëse, ndërsa ngjarja u mbyll me ceremoninë e ndarjes së medaljeve, trofeut të kampiones dhe çmimeve individuale.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026