​Inter Miami fiton dramën me tetë gola, Messi protagonist absolut
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
​Inter Miami fiton dramën me tetë gola, Messi protagonist absolut
Leo Messi
14/05/2026 - 08:03
Linku u kopjua

Lionel Messi vazhdon të shkëlqejë në MLS, pasi realizoi dy gola dhe kontribuoi edhe në dy të tjerë në fitoren dramatike të Inter Miamit ndaj Cincinnati me rezultat 5:3 në transfertë.

Argjentinasi hapi serinë e golave në minutën e 24-të, duke përfituar nga një largim i dobët i topit nga Matt Miazga. Vendasit barazuan përmes Kevin Denkey nga penalltia në fund të pjesës së parë, ndërsa Pavel Bucha përmbysi rezultatin menjëherë pas pushimit për 2:1.

Messi reagoi sërish në minutën e 55-të, duke finalizuar një aksion të shpejtë të mysafirëve pas asistimit të Rodrigo De Paul. Megjithatë, Cincinnati kaloi përsëri në epërsi falë një supergoli të brazilianit Evander nga distanca.

Në minutat e fundit, Inter Miami tregoi forcë karakteri. Messi asistoi për bashkëkombësin e tij Mateo Silvetti për golin e barazimit, ndërsa më pas meksikani German Berterame realizoi për 4:3. Goli i fundit erdhi në minutën e 89-të, kur Messi depërtoi me shpejtësi dhe goditja e tij u devijua në rrjetë nga portieri Roman Celentano për autogol.

Me këtë paraqitje, 38-vjeçari ka shkuar në 11 gola në 12 ndeshje këtë sezon në MLS, ndërsa Inter Miami është ngjitur në vendin e dytë në Konferencën Lindore me 25 pikë.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026