Gordon zbulon çfarë e befasoi pasi u përball me Messin në Botëror
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Gordon zbulon çfarë e befasoi pasi u përball me Messin në Botëror
Anthony Gordon ka vlerësuar ndikimin e Lionel Messit pas humbjes së Anglisë ndaj Argjentinës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, duke thënë se argjentinasi është "edhe më i fortë" nga sa e kishte imagjinuar para se të përballej me të në fushë.
Sulmuesi anglez kaloi Anglinë në epërsi në minutën e 55-të, por Argjentina përmbysi rezultatin në fund të takimit me golat e Enzo Fernandez dhe Lautaro Martinez, duke siguruar një fitore 2:1 dhe kualifikimin në finalen e Botërorit.
Pas ndeshjes, Gordon tha se prej vitesh kishte ndjekur paraqitjet e Messit, por se përballja direkte në një gjysmëfinale të Kupës së Botës i tregoi një tjetër dimension të lojës së kapitenit argjentinas.
"Kam parë për vite të tëra se si Messi ndryshonte ndeshjet, por sot e kuptova se ai është një lojtar edhe më i fortë nga sa mendoja", u shpreh Gordon.
Edhe pse 39-vjeçari nuk realizoi gol, ai ishte vendimtar në suksesin e Argjentinës, duke dhënë dy asistime për golat e Enzo Fernandez dhe Lautaro Martinez, të cilët siguruan përmbysjen në minutat e fundit.
Gordon shtoi me humor se, pavarësisht zhgënjimit për eliminimin, trofeu i Kupës së Botës do t'i takojë "dikujt që e do Barcelonën", duke aluduar për Messin ose për yjet e Spanjës, kundërshtares së Argjentinës në finalen e madhe.
Argjentina dhe Spanja do të përballen në finalen e Kupës së Botës 2026, në një duel që pritet të sjellë përballjen simbolike mes Lionel Messit dhe talentit spanjoll Lamine Yamal.
KosovaPress