​FIFA pritet të njoftojë të ardhura rekord nga Kupa e Botës
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
​FIFA pritet të njoftojë të ardhura rekord nga Kupa e Botës
FIFA
21/07/2026 - 10:57
Linku u kopjua

FIFA pritet të shpallë të ardhura rekord prej 15 miliardë dollarësh (rreth 11.2 miliardë funte) nga Kupa e Botës 2026, duke tejkaluar ndjeshëm parashikimet fillestare prej 11 miliardë dollarësh. Sipas raportimit ekskluziv të The Guardian, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ua ka bërë të ditur këtë zhvillim federatave anëtare gjatë së shtunës.

Sipas burimeve, një pjesë e madhe e rritjes së të ardhurave është siguruar nga paketat VIP dhe mikpritja (hospitality), si dhe nga tregu sekondar i biletave, ku FIFA përfiton 15 për qind komision nga blerësi dhe 15 për qind nga shitësi për çdo transaksion.

Rritja e të ardhurave pritet të ndikojë pozitivisht edhe te federatat anëtare të FIFA-s, të cilat mund të përfitojnë fonde shtesë nga buxheti i zgjeruar i organizatës, megjithëse detajet e shpërndarjes ende nuk janë bërë publike.

Ky sukses financiar konsiderohet gjithashtu një shtysë për pozitën e Gianni Infantinos, pas një muaji të mbushur me polemika gjatë turneut në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Një nga çështjet më të diskutuara ishte pezullimi i kartonit të kuq të sulmuesit amerikan Folarin Balogun në ndeshjen ndaj Bosnje dhe Hercegovinës, vendim që shkaktoi reagime të ashpra, veçanërisht nga federatat evropiane. Megjithatë, Infantino raportohet se ka siguruar mbi 200 premtime mbështetjeje nga federatat anëtare për rizgjedhjen e tij në mars.

Të ardhurat rekord mund të forcojnë edhe kandidaturën e Shteteve të Bashkuara për të organizuar një tjetër Kupë Bote në të ardhmen. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi së fundmi se SHBA-ja dëshiron të presë sërish turneun, ndërsa vendi po zhvillon gjithashtu bisedime me FIFA-n për organizimin e Kupës së Botës për Klube në vitin 2029.

Ndërkohë, pak para finales së Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës në New Jersey, në platformën zyrtare të FIFA-s vazhdonin të ofroheshin paketa VIP, ku një biletë për zonën ekskluzive “Trophy Lounge” shitej për 34.500 dollarë për person.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026