Federata e Volejbollit e Kosovës ka njoftuar se më 10 dhe 11 korrik 2026 do të organizojë Kampionatin e Kosovës në Beach Volley për kategorinë U20, në konkurrencën e femrave dhe meshkujve.
Garat do të zhvillohen në fushat e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Prishtinë, ndërsa kampionati është i hapur për të gjithë lojtarët e regjistruar dhe të licencuar në FVK, të lindur në vitin 2007 ose më të rinj, të cilët kanë Federatën e origjinës FVK-në.
Federata ka bërë të ditur se të gjitha ekipet janë të obliguara të paraqiten me uniforma identike, të pajisura me numrat 1 dhe 2 në fanella. Ekipet që nuk i plotësojnë këto kushte nuk do të lejohen të marrin pjesë në garë.
Po ashtu, në rast se nga i njëjti klub paraqiten më shumë se dy çifte, ato do të zhvillojnë ndeshje eliminatore për të siguruar pjesëmarrjen në fazën kryesore të kampionatit.Ky kampionat pritet të mbledhë talentet më premtuese të volejbollit në rërë në Kosovë, të cilët do të garojnë për titullin e kampionit të Kosovës në kategorinë U20.
KosovaPress