Federata e Futbollit e Egjiptit ka paraqitur ankesë zyrtare në FIFA, duke kërkuar hetim ndaj ekipit të arbitrave që ndau drejtësinë në ndeshjen e 1/8 së finales së Kupës së Botës kundër Argjentinës, si dhe përjashtimin e tyre nga vazhdimi i turneut.
Në komunikatën e Federatës thuhet se presidenti, Hany Abou Rida, ka dorëzuar ankesën për shkak të, siç theksohet, ‘gabimeve të rënda të arbitrimit dhe standardeve të dyfishta’, të cilat sipas federatës ndikuan drejtpërdrejt në eliminimin e Egjiptit pas humbjes 3-2 ndaj Argjentinës në Atlanta.
Po ashtu, Egjipti pretendon se Mohamed Salah u pengua në zonën e rreptësisë pak sekonda para se Argjentina të realizonte golin e fitores në kohën shtesë.
Në deklaratën e saj, federata thekson se ka kërkuar hetim për arbitrin francez.Federata shton se ka kërkuar hetim të plotë ndaj arbitrave dhe zyrtarëve të VAR-it për, siç thuhet, gabime të qarta dhe refuzim për të rishikuar disa pamje, ndërsa ka kërkuar edhe përjashtimin e të gjithë ekipit të arbitrimit nga turneu pas përfundimit të hetimeve.
Në reagimin e saj, pretendon gjithashtu se ndaj kombëtares egjiptiane është kryer akt diskriminimi.
Ndërkohë edhe sulmuesi Mostafa Zico kritikoi ashpër arbitrimin.
Në anën tjetër, kapiteni i Argjentinës, Lionel Messi, kontribuoi në rikthimin e ekipit të tij duke asistuar në golin e parë në minutën e 79-të dhe duke realizuar golin e barazimit katër minuta më vonë, ndërsa Argjentina siguroi fitoren 3:2 me gol në kohën shtesë.
Pas këtij triumfi, Argjentina do të përballet me Zvicrën në çerekfinale, në ndeshjen që do të zhvillohet në Kansas.