Gjashtë armë pa leje dhe sasi municioni e eksplozivi, arrestohen disa persona
Në disa komuna të Kosovës, Policia e Kosovës ka konfiskuar armë pa leje e mjete të tjera.
Në Prishtinë, të mërkurën është raportuar se ka ndodhur një përleshje mes disa personave. Njëri nga të dyshuarit kishte drejtuar armën në drejtim të dyshuarit tjetër.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar dy zyrtarë policor, të cilët ishin jashtë detyrës zyrtare dhe për të vënë situatën nën kontroll kishin përdorur sprej zyrtar. Në këtë përleshje, janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj si dhe është konfiskuar një armë pistoletë me pesë fishekë. Me vendim të prokurorit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Edhe në Fushë Kosovë, policia ka konfiskuar një armë zjarri me gjashtë fishekë nga i dyshuari mashkull, ndërkohë që rasti po vazhdon të procedohet në gjendje të lirë.
Në komunën e Junikut të martën më 23 qershor, është arrestuar një i dyshuar mashkull, pasi që gjatë kontrollit të shtëpisë së tij, i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me 13 fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti po vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.
Në raportin shtesë të Policisë së Kosovës, dje është arrestuar një i dyshuar në Zubin Potok. Lidhur me rastin është identifikuar dhe intervistuar i dyshuari mashkull kosovar, ku me vendim të prokurorit i njëjti është liruar dhe rasti po vazhdon në procedurë të rregullt.
I njëjti ishte kapur me armë e municion, të cilat i kishte fshehur në stallë të lopëve,
Ndërkohë, tri armë dhe sasi municioni e eksplozivi, bashkë me pajisje të tjera luftarake, janë gjetur në tri lokacione në Zubin Potok, të dielën.
Dy prej objekteve, ishin stalla ushqimi për bagëti, ndërsa i treti objekt i pabanuar.
Në stallën e parë, janë gjetur dhe janë sekuestruar një armë zjarri, pesë karikatorë të armës se gjatë me 151 fishekë, pjesë të uniformës së kamufluar si dhe bateri ndriçuese.
Në të dytën, një armë zjarri, 74 fishekë të kësaj arme dhe 254 fishekë të armës së gjatë.
Ndërsa në objektin e tretë, u gjetën dhe sekuestruan, një pushkë dhe një bajonetë e kësaj arme, 11 fishekë të së njëjtës armë, 33 fishekë të armës së gjatë, dy makina që shërbejnë për mbushjen e fishekëve të armës së gjuetisë, rreth 200 gramë barut si dhe 2 kg me sfera (thashme) për mbushjen e fishekëve të armës.
Lidhur me të tre rastet po kryhen hetime nga ekipet relevante policore.
/Kosovapress/