Sektori i qumështit në Kosovë po përballet me një situatë alarmante, e cila po rrezikon seriozisht qëndrueshmërinë ekonomike të fermerëve vendor. Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit të Kosovës, Naser Bajraktari, ka ngritur shqetësimin për zhvillimet e fundit në treg duke theksuar se teprica e qumështit të freskët ka sjellë ulje të çmimit të grumbullimit dhe rrjedhimisht goditje direkte në të ardhurat e prodhuesve.
Sipas tij, kjo situatë po rëndohet edhe më shumë nga rritja e vazhdueshme e kostove të prodhimit, veçanërisht çmimit të naftës dhe ushqimit për kafshë duke krijuar një presion të dyfishtë mbi fermerët.
Bajraktari ka paralajmëruar se përveç konkurrencës së lartë, sektori po përballet edhe me praktika të padrejta, përfshirë përdorimin e zëvendësuesve si qumështi pluhur dhe yndyrat bimore, të cilat mund të ndikojnë edhe në sigurinë ushqimore.
Në këtë situatë, Shoqata e Prodhuesve të Qumështit i është drejtuar Ministrisë së Industrisë, të Ndërmarrësisë dhe të Tregtisë me kërkesë për ndërhyrje urgjente dhe masa konkrete për stabilizimin e tregut.