Përzgjedhësi i Spanjës, Luis de la Fuente, ka deklaruar se finalja e Kupës së Botës 2026 ndaj Argjentinës do të jetë një përballje e balancuar, e cila sipas tij do të vendoset nga detajet, ndërsa ka përjashtuar mundësinë e markimit individual ndaj Lionel Messit.
Në konferencën për media para finales që zhvillohet të dielën në stadiumin “MetLife” në New Jersey, De la Fuente tha se ekipi i tij është i përgatitur për sfidën më të madhe dhe se arritja në finale është një privilegj.
Trajneri spanjoll vlerësoi maksimalisht Argjentinën dhe homologun e tij Lionel Scaloni, duke theksuar se kampionët në fuqi kanë dëshmuar vazhdimësi në nivelin më të lartë.
“Do të jetë një spektakël mes dy kombëtareve të mëdha, me shumë ngjashmëri në stilin e lojës. Secila do të përpiqet ta drejtojë ndeshjen në mënyrën që i përshtatet më shumë. Fituesi do të jetë ai që do të neutralizojë më mirë pikat e forta të kundërshtarit”, u shpreh ai.“E kam njohur Messin kur drejtoja ekipet e të rinjve të Sevillas. Në atë kohë provuam ta markonim njeri me njeri, por pasi bëra një zëvendësim, ai shënoi katër gola. Nuk do ta markojmë individualisht, por sigurisht që do të kemi vëmendje të veçantë ndaj tij, ashtu si edhe ata ndaj lojtarëve tanë”, tha De la Fuente.
Ai foli edhe për marrëdhënien me përzgjedhësin e Argjentinës, Lionel Scaloni.
“Respektoj çdo mendim, por unë kam admirim të madh për një skuadër që është kampione e botës dhe e Amerikës së Jugut. Secili ekip do të përdorë cilësitë e veta futbollistike për të fituar”, shtoi ai.
“Ai mori një goditje të fortë në një zonë të ndjeshme. Të enjten preferuam ta pushonim, ndërsa sot u stërvit normalisht. Është në gjendje të shkëlqyer fizike”, bëri të ditur De la Fuente.
Ai zbuloi gjithashtu se ka kërkuar këshilla nga Vicente del Bosque, trajneri që i solli Spanjës titullin botëror në vitin 2010.
Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës zhvillohet të dielën, më 19 korrik, në stadiumin “MetLife” në New Jersey, me fillim nga ora 21:00 sipas kohës së Evropës Qendrore. Spanja synon titullin e dytë botëror, ndërsa Argjentina kërkon të mbrojë kurorën e fituar katër vite më parë.
KosovaPress