Përurohet rruga “Hysiqi” në Shtime, investim prej 350 mijë eurosh që lidh lagjen me tranzitin e qytetit
Lajme
Lexohet për: 5 min.
Dëgjoje me zë...
Përurohet rruga “Hysiqi” në Shtime, investim prej 350 mijë eurosh që lidh lagjen me tranzitin e qytetit
Shtime 5 qershor 26
05/06/2026 - 14:00
Linku u kopjua

Është përuruar të premten rruga “Hysiqi” në Komunën e Shtimes, një projekt infrastrukturor në vlerë prej 350 mijë eurosh, i cili lidh lagjen Hysiqi me fshatin Davidoc dhe tranzitin e qytetit.

Në ceremoninë e prerjes së shiritit morën pjesë ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe banorë të zonës.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, tha se investimet infrastrukturore po shtrihen në të gjitha pjesët e Kosovës, duke përfshirë edhe zonat rurale.

“Për ne është shumë e rëndësishme që projektet tona po zhvillohen gjithandej nëpër të gjithë Republikën. Pra, edhe në zonat të ndryshme, përfshi këtu në lagjen Hysiqi, që janë një lagje e kahmotshme në këto treva, dhe tani po vijnë investimet në të gjitha pjesët ku i rrit vlerën e toks, e mundëson punësimin e tyre sa më të madh, por gjithashtu edhe punimin e tokave dhe arave në këto hapësira”, tha Basha.

Ai theksoi se rruga e re ka gjatësi 1.3 kilometra, gjerësi katër metra dhe është e pajisur me sinjalizim.

“Kjo është një rrugë me cilësi të lartë, me sinjalizim, 4 metra, 1.3 kilometra, 350 mijë euro, po është vetëm një nga projektet që përbën shumën prej 1 milion eurove që janë edhe disa rrugë të tjera që do të realizohen në komunën e Shtimes. Ne si ministri jemi të interesuar që të vazhdojmë investimet nëpër zona rurale, për shkak se ne duhet t’i lidhim këto pjesë me zonat e qytetit, por njëkohësisht po e bën rritjen e vlerave të tokës, por edhe turizmit. Prandaj shumë me rëndësi që të investojmë në të gjithë Kosovën dhe jo vetëm në hapësira të caktuara”, u shpreh ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, tha se rruga ishte e domosdoshme për funksionalizimin e pronave dhe zhvillimin e kësaj pjese të qytetit.

Aliu tha se rruga “Hysiqi” lidh njërën nga lagjet më të vjetra të Shtimes me fshatin Davidoc dhe tranzitin e qytetit.

“Është rruga “Hysiqi” që e lidh, siç e tha edhe ministri Basha, lagjen Hysiqi, që është një nga lagjet më të vjetra në komunën e Shtimes, me fshatin Davidoc, përkatësisht me tranzitin e qytetit. Kjo rrugë ka qenë shumë e nevojshme, pothuajse e domosdoshme, për t’i funksionalizuar krejt këto prona edhe këtë pjesë të lagjes më të rëndësishme të Shtimes. Investimi, siç e përmendi ministri, është 350 mijë euro, është një rrugë me standarde të larta, me infrastrukturë përcjellëse moderne dhe po besoj që ka me iu shërby qytetarëve edhe zhvillimit të komunës së Shtimes”, deklaroi Aliu.

Sipas tij, projekti është pjesë e disa investimeve infrastrukturore që po realizohen në komunë me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës.

Banorët e zonës e vlerësuan rrugën si një investim të rëndësishëm që ua lehtëson qarkullimin dhe lidhjen me qytetet përreth.

Banori Fejza Hysiqi tha se rruga e re do t’ua kursejë kohën dhe do t’ua lehtësojë lëvizjen drejt Lipjanit dhe Ferizajt.

“Kjo do të na ndihmojë neve shumë, shumë sepse së paku, në vend se me shku na tashti nëpër qendër ku ka kallaballëk, tashti drejt për drejt këtu lidhemi edhe me transit, ose dojmë me shku për Lipjan, ose për Ferizaj. Neve na është tepër diçka pozitive. Ky është një investim shumë i qëlluar, shumë i mirëpritur për neve është diçka tepër e mirë. Investim shumë i qëlluar. Kaherë ka qenë e thënë me u kry, po mirë që u kry kjo punë, u bë kjo punë”, tha ai.

Edhe banori tjetër, Adnan Hysiqi, tha se investimi ka përmirësuar dukshëm kushtet e jetesës në këtë zonë.

“Kjo rrugë për neve është shumë diçka domethënëse e madhe, se tash kemi dalë edhe me shtëpia këtu, edhe na ka ndihmuar shumë, për çfarëdo lloji, për shkak pastërtisë që ka qenë këtu më herët më keq, po tash gjendja është krejt krejt ndryshe. Edhe kjo ka qenë një investim shumë i mirë për qytetarët e komunës së Shtimes. Shumë e ka shkurtuar kohën, se zakonisht ne që jemi duke punuar në Lipjan, komunën e Lipjanit, ne tash i kemi dy dalje këtu. Kemi dalje, për shembull, që na lidh me tranzit me Davidovc, domethënë që shkojmë shumë shpejt për 1 kilometër, po edhe këndej se ka qenë kaq me gropa edhe me rrugë pa ndriçim. Domethënë, e ka shkurtuar kohën për 10 minuta më shpejt me shku.”, tha Hysiqi.

Ai shtoi se ky rregullim i rrugës e lidh komunën e Shtimes me tranzitin dhe e bën më të lehtë qasjen e fshatrave përreth me qytetin.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026