Lojtari i Kombëtares së Sllovakisë, Matthew Cingel, nuk e fshehu emocionin pas triumfit historik të ekipit të tij në “Rugby Europe Sevens Conference 2”, të mbajtur në Kosovë, ku sllovakët u shpallën kampionë të turneut.
Pas finales, duke folur për KosovaPress, Cingel deklaroi se ky sukses përfaqëson kulmin e një rruge të gjatë dhe të vështirë, duke e cilësuar atë si një ëndërr të realizuar.
Lojtari tregoi se ka qenë pjesë e këtij kompeticioni që nga mosha 17-vjeçare dhe se për vite me radhë Sllovakia kishte mbetur pranë suksesit të madh.
“Kam luajtur në këtë kompeticion që kur isha 17 vjeç. Jam rritur duke luajtur ragbi, në Sllovaki. Si të thuash, duke kaluar nëpër të gjitha kampet, nëpër të gjitha stërvitjet, nëpër gjithçka. Kemi dalë gjithmonë të dytët ose të tretët çdo vit dhe është pikërisht ajo, ajo gjëja e vogël që na ka munguar gjithmonë. Dhe që më në fund t’a arrinim, është sikur po jetoj një ëndërr”, u shpreh Cingel.Ndërkohë, duke folur për ekipin e Kosovës, Cingel pati fjalë vlerësuese për përfaqësuesen vendase dhe progresin që po shënon ragbia kosovare.
“Ekipi i Kosovës është i jashtëzakonshëm. E di që janë një shtet shumë i ri. Mund ta shoh të gjithë mundin që bëhet prapaskenave për si të thuash, të niset ragbi në Kosovë dhe ky ishte një turne shumë premtues për ta. Ata, ia dolën të mposhtin Greqinë, ajo ishte një ndeshje shumë mbresëlënëse dhe, ka patjetër diçka aty. Shumë, zhvillim për Kosovën dhe mund ta shoh që ata po rriten patjetër çdo vit”, deklaroi ai.