​Ardian Krasniqi nderohet në Rottweil, nënshkruan në Librin e Artë të qytetit
5-Fifth
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
​Ardian Krasniqi nderohet në Rottweil, nënshkruan në Librin e Artë të qytetit
ardian krasniqi
24/07/2026 - 16:48
Linku u kopjua

Boksieri shqiptar Ardian Krasniqi është nderuar nga autoritetet e qytetit gjerman Rottweil, duke u regjistruar në Librin e Artë të qytetit pas sukseseve të tij në arenën ndërkombëtare të boksit.

Kampioni i versionit WBO Intercontinental dhe kampioni i sapokurorëzuar i Evropës në versionin WBA u prit nga kryetari i bashkisë së Rottweil-it, Christian Ruf, me të cilin zhvilloi një takim zyrtar para ceremonisë së nënshkrimit.

Për 29-vjeçarin shqiptar, i cili ka fituar të gjitha 13 ndeshjet e tij në boksin profesionist, 12 prej tyre me nokaut, ky ishte një moment me rëndësi të veçantë në karrierën e tij.

“Nënshkrimi në Librin e Artë të qytetit do të thotë jashtëzakonisht shumë për mua. Është një nder i madh. Kam lindur dhe jam rritur në Rottweil. Këtu i njoh të gjitha rrugët dhe këtu kam festuar sukseset më të mëdha të karrierës sime. Do të jem gjithmonë besnik ndaj Rottweil-it dhe do ta përfaqësoj qytetin tim me krenari kudo në botë”, ka deklaruar Krasniqi.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku Christian Ruf përgëzoi boksierin shqiptar për arritjet e tij, duke theksuar se Rottweil është krenar që ka një sportist të këtij niveli si ambasador të qytetit.

Ceremonia kishte edhe një domethënie të veçantë për familjen Krasniqi. Më 18 shkurt 2004, edhe xhaxhai i Ardianit, ish-kampioni i njohur i boksit Luan Krasniqi, ishte nderuar me nënshkrimin në Librin e Artë të Rottweil-it, pasi fitoi titullin e kampionit evropian ndaj turkut Sinan Şamil Sam.

Pas 22 vjetësh, Ardian Krasniqi vazhdoi traditën e familjes, duke u bërë anëtari i radhës që përfshihet në Librin e Artë të qytetit falë sukseseve të tij në boksin profesionist.

Rottweil, qyteti më i vjetër i landit Baden-Württemberg, njihet për traditën e tij sportive, ndërsa familja Krasniqi prej vitesh ka kontribuar në promovimin e tij në arenën ndërkombëtare të boksit.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026