Intervista
Intervista
Të gjitha nga Intervista
Kryeziu pret seancë të suksesshme të konstituimit të Kuvendit më 15 prill
Profesori i të drejtës kushtetuese, Kadri Kryeziu, pret seancë të suksesshme të konstituimit të Kuvendit më 15 prill. Ai thotë se s’ka asnjë arsye që të ketë zvarritje të formimit të institucioneve, derisa thekson se çfarëdo tendence e tillë, do të ishte devijim nga rendi kushtetues dhe demokratik. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, duhet pa vonesa të propozojë emrin e kryetarit të Kuvendit, rrjedhimisht pas betimit të deputetëve të zgjidhen edhe trupat e Kuvendi dhe të hapet rruga për formimin e qeverisë. Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, në një intervistë për KosovaPress, e konsideron legjitime edhe takimin ndërmjet kryetarit në detyrë të Kuvendit, Glauk Konjufca me liderët e partive politike më 8 prill për përgatitjen e seancës konstituive. Duke folur për mbarëvajtjen e seancës konstitutive, ai thotë se fillimisht duhet të verifikohen mandatet e deputetëve, pastaj jepet betimi i tyre dhe prej atij momenti të zgjedhurit e popullit kanë legjitimitet dhe legalitet. Mirëpo, sipas Kryeziut, pa u zgjedhur trupat e Kuvendit, përfshirë kryetarin dhe nënkryetarët, Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar. Për këtë çështje, ai deklaron se ka një vakum kushtetues dhe se partitë politike duhet të dërgojnë për interpretim në Kushtetuese. Sipas tij, kryetari në detyrë i Kuvendit, Glauk Konjufca e ka obligim përgatitjen e seancës së 15 prillit, andaj është legjitime edhe thirrja e takimit me liderët e partive politike javën e ardhshme. Ai bën të ditur se seancën e 15 prillit do të udhëheq deputeti më vjetër, në këtë rast, ai nga radhët e LVV-së, Avni Dehari dhe deputetja më e re, Sala Jashari nga radhët e PDK-së.   Krahas kësaj, Kryeziu, thotë se afati kushtetues për formimin e qeverisë nis prej momentin kur partia e parë të dërgojë emrin për mandatar. Prej këtij momenti kur dekretohet mandatari për kryeministër nga presidentja, ai thotë se nis afati kushtetues prej 15 ditëve për formimin e qeverisë së re. Nëse nuk arrihet brenda këtij afati të formohet qeveria, ai deklaron se mandatarit të parë i jepet afat edhe 10 ditë për formimin e qeverisë, mirëpo me një emër të dytë. Sipas  tij, derisa partia e parë nuk ka mundur të formojë qeverinë me mandatarin e parë, është e palogjikshme që e njëjta të tentoi sërish por me një emër të dytë për kryeministër. Andaj, Kryeziu thotë për KosovaPress, se në këtë rast vjen në shprehje çdo parti politike parlamentare, por me prioritet partia e dytë që të dërgojë një emër te presidentja për mandatar dhe të argumentojë se i ka 61 vota për themelimin e qeverisë së re. Përkitazi me këtë, profesori i të drejtës kushtetuese thotë se sipas të gjitha gjasave koalicioni qeverisës do të jetë mes Lëvizjes Vetëvendosje, tre deputetëve të Nisma Socialdemokrate dhe minoriteteve jo serbe. Megjithatë, shton se për të pasur një qeveri stabile dhe me mandat katërvjeçarë, duhet të ketë një koalicion mes LVV-së dhe PDK-së. Ai e sheh të mundshme që edhe deputetë të zgjedhur në Kuvend të ndryshojnë taborin politik. Një gjë e tillë sipas tij është legjitime, pasi deputeti ka pavarësinë e plot dhe s’ka mandat detyrues ndaj askujt. Duke folur për aneksen e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjykatë Kushtetuese, në lidhje me vendimin e Gjykatës Supreme për votat me postë të LDK-së, ai thotë për KosovaPress, se partitë politike s’janë të autorizuar të bëjnë kërkesë apo ankesë në Gjykatë Kushtetuese. Në bazë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27 për qind, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind. Në bazë të këtyre shifrave, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, AAK-Nisma 8 si dhe komunitetet jo shumicë 20 deputetë. intervista e plotë në sistemin me parapagim.
Turizëm
Turizëm
Të gjitha nga Turizëm
Anija me famë botërore në portin e Durrësit, e hapur për vizitorët më 9-10 prill
Anija italiane me famë botërore, “Amerigo Vespucci”, e konsideruar si ndër anijet më të bukura në botë, do të vizitojë portin e Durrësit më 9 dhe 10 prill. Lajmi u bë i ditur nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako në një postim në rrjetet sociale ku theksoi se “kjo anije do të jetë e hapur për vizitorët gjatë dy ditëve”. “Anija Amerigo Vespucci apo “anija më e bukur në botë”, është simbol i krenarisë detare italiane. Në vijim të turit botëror, vizituar nga 43.330 persona në bordin e saj, e pasi ka prekur brigjet në të gjitha kontinentet, ndalesa e radhës do të jetë në Durrës”, thekson Sako. Kryebashkiaja Sako fton qytetarët ta vizitojnë atë më 9-10 prill nga ora 14:00- 20:30, shkruan ATSh. Në kuadër të Giro d’Italia, ndalesa e “Amerigo Vespucci” në Durrës vjen dhe si një promovim i kulturës italiane në mbarë botën.  Në bordin e anijes do të krijohet një ambient i veçantë, ku do të ekspozohet edhe Trofeu “Senza Fine”, i eventit sportiv “Giro d’Italia”, një prej aktiviteteve më të famshme sportive në botë, ku do të finalizohet “La Grande Partenza 2025” – “Nisja e Madhe 2025”. Prezantimi do të realizohet në praninë e 50 të ftuarve nga institucione të ndryshme dhe mediat. Mes të ftuarve do të mbajnë fjalën e nderit Komandanti i “Amerigo Vespucci”, kryeministri Edi Rama, CEO i RCS Sports & Events, Paolo Bellino, përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes dhe Marina Ushtarake Italiane si dhe Ambasadori Italian në Shqipëri, transmeton KosovaPress. Që prej vitit 1931, kjo anije me vela mbetet një ndër xhevahirët e kurorës së çmuar të Marinës ushtarake italiane. E ndërtuar në vitet ‘20 në kantieret e Castellammare di Stabia, anija Amerigo Vespucci është kthyer në një shkollë lundruese që ka edukuar breza të tërë oficerësh.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025