Rowingu do të jetë pjesë e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, ndërsa institucionet sportive të Kosovës kanë nisur përgatitjet për zhvillimin e këtij sporti në vend.
Ministri në detyrë Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, ka pritur përfaqësuesit e Federatës së Rowingut dhe klubet e këtij sporti nga Prizreni, Prishtina dhe Deçani, me të cilët ka diskutuar për zhvillimin e mëtejmë të disiplinës, sfidat aktuale dhe hapat që duhen ndërmarrë për forcimin e saj.
Ndërkohë, rowingu është përfshirë si sport bazë në fazën e parë të Programit Sportiv për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke reflektuar rëndësinë që ky sport ka në vendet e rajonit mesdhetar. Organizatorët vlerësojnë se përfshirja e tij do të sjellë një kulturë të re sportive në Kosovë, do të rrisë pjesëmarrjen e të rinjve në sport dhe do të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të sportit kosovar.
Përmes këtij projekti, Kosova synon të krijojë bazat për zhvillimin afatgjatë të rowingut, duke e shndërruar atë në një nga sportet e reja që do të promovohen në kuadër të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.