Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) bën të ditur se rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është rreth 16%, raporton KosovaPress. ZRRE të premten i ka miratuar kërkesat e tre operatorëve energjetikë(KEDS, KESCO dhe KOSTT) për të hyrat e lejuara maksimale. ZRRE njoftimin për shtrenjtimin e tarifave e bëri pas mbledhjes së Bordit, nëpërmjet një njoftimi.
Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke thënë se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta, raporton KosovaPress.
Në lidhje me këto, kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, tha se pas vlerësimit nga stafi i tyre dhe raporteve konsultative kanë arritur që të zbresin të hyrat e lejuara maksimale për këta operatorë.
Megjithatë, ai në mledhje nuk pranoi të jep një përqindje të saktë për rritjen e energjisë elektrike në vitin 2025, përkundër insistimit të madh të mediave.
Ndërkaq, drejtori menaxhues i ZRrE-së, Petrit Pepaj, tregoi shkaktarët që sipas tij po rritet kostoja e shërbimit të energjisë elektrike.
Pavarësisht insistimit të gazetarëve në lidhje me përqindjen e rritjes së çmimit të energjisë, Pepaj nuk pranoi pyetjet të gazetarëve.
Madje në një moment, kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, kërkoi nga mediat të largohen nga mbledhja e bordit, derisa nuk pranoi asnjë pyetje nga gazetarët.
“I kisha lutur të gjitha mediat me na mirëkuptua, pasi kalojmë në seancë të mbyllur dhe vazhdojmë me pika të tjera të rendit të ditës....”, tha ai.
Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind.
Shtrenjtimi i energjisë elektrike, ka shkaktuar reagime të shumta nga bizneset, subjektet politike dhe qytetarët, madje kishte edhe protesta.
Bizneset dhe qytetarët, u tha në konferencë për media, se nuk duhet të paguajnë dështimet e institucioneve.
