Ushtria izraelite (IDF) ka njoftuar se të mërkurën ka kryer sulmin më të madh ndaj objektivave të Hezbollahut, në të gjithë Libanin, që nga fillimi i operacionit “Roaring Lion”.
Rreth 100 qendra komanduese dhe objekte ushtarake janë goditur brenda 10 minutave, raporton agjencia izraelite e lajmeve TPSIL, përcjellë KosovaPress.
Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) deklaruan se operacioni është bazuar në inteligjencë të saktë dhe ishte planifikuar prej javësh nga Drejtoria e Operacioneve, Drejtoria e Inteligjencës, Forcat Ajrore dhe Komanda Veriore, me qëllim dobësimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Hezbollahut.
Ushtria shtoi se shumë nga objektivat e goditura ndodheshin në zona të banuara, duke akuzuar Hezbollahun për përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore.“Ne do të vazhdojmë të godasim organizatën terroriste Hezbollah dhe do të shfrytëzojmë çdo mundësi – nuk do të bëjmë kompromis për sigurinë e banorëve të veriut. Do të vazhdojmë të godasim pa ndërprerje”, ka thënë shefi I Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelit, gjeneral-lejtnant Eyal Zamir.