Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar një sërë mangësish në menaxhimin financiar të Komunës së Prishtinës për vitin 2025, përfshirë mbivlerësim të detyrimeve dhe llogarive të arkëtueshme, keqklasifikim të shpenzimeve, vonesa në pagesa, dobësi në prokurim dhe mangësi në menaxhimin e projekteve kapitale. Raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore i ka dhënë komunës opinion të kualifikuar, përcjell KosovaPress.
Sipas raportit të auditimit, opinioni i kualifikuar është ndikuar nga mbivlerësimi i detyrimeve të papaguara, mbivlerësimi i llogarive të arkëtueshme, keqklasifikimi i shpenzimeve në kategori ekonomike dhe prezantimi jo i saktë i detyrimeve kontingjente në pasqyrat financiare.
Raporti evidenton gjithashtu se Komuna ka hyrë në obligime kontraktuale për projekte kapitale pa fonde të mjaftueshme, ka nisur procedura prokurimi pa u siguruar paraprakisht lejet e nevojshme, ka vonuar pagesën e faturave përtej afatit ligjor në 42 raste me vlerë mbi 8.1 milionë euro dhe ka realizuar pagesa të investimeve kapitale prej mbi 10.1 milionë euro përmes marrjes së mjeteve nga projekte të tjera pa miratimin paraprak të Kuvendit Komunal.
Sipas ZKA-së, gjatë auditimit janë identifikuar edhe dobësi në kontrollin e brendshëm dhe menaxhimin financiar, përfshirë pasaktësi në regjistrimin dhe prezantimin e pasurisë, inventarizimin e saj, arkëtimin e borxheve dhe monitorimin e projekteve kapitale. Gjithashtu, komuna është përballur me vështirësi financiare për shkak të pagesave të larta të realizuara në bazë të vendimeve gjyqësore, të cilat deri më 31 dhjetor 2025 kishin arritur vlerën 45.69 milionë euro.