Zjarret në Serbi, çfarë po bën Qendra humanitare ruse në Nish?
Lajme
Lexohet për: 4 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Përderisa zjarret flakërojnë në Serbi, nuk ka asnjë shenjë ndihme nga Qendra Humanitare Serbo-Ruse në Nish. Edhe pse në faqen e tyre zyrtare shkruhet se ata janë aty me “qëllim për të ofruar një sërë detyrash humanitare në territorin e Serbisë dhe vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit”. Ku janë dhe çfarë po bëjnë konkretisht këto ditë, i kemi pyetur edhe ne, por ata heshtin, shkruan danas, transmeton KosovaPress.

Rreth 200 zjarre janë aktualisht aktive dhe situata më kritike është në Stara planina. Gjegjësisht, aty zjarri ka djegur më shumë se 2000 hektarë bimësi të ulët dhe pyll, ndërsa situata më kritike është në fshatin Basarë afër Pirotit ku digjet një pyll me pisha.

Parku Kombëtar Tara është djegur prej ditësh dhe zjarrfikësit po përballen me vështirësi për shkak të terrenit të paarritshëm.

Po ashtu, lufta kundër zjarreve po bëhet edhe në malin Vidliç, ndërsa në Zhagubicë dhe Kuçevë përfundimisht është ndalur përhapja e zjarrit drejt fshatrave të afërta.

Në afërsi të Nishit, njëra korsi e autostradës Nish-Leskovc, në drejtim të Leskovcit, është mbyllur përkohësisht për qarkullim për shkak të zjarrit dhe tymit të dendur në afërsi të fshatit Batushinac. Aty bimësia e ulët është përfshirë nga zjarri dhe zjarrfikësit dhe policia kanë dalë në terren për lokalizimin e zjarrit.

Gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka asnjë informacion publik se Qendra Humanitare Serbo-Ruse në Nish ka marrë pjesë në ndonjë mënyrë në shuarjen e këtyre zjarreve. Edhe pse prej vitesh ata e arsyetojnë ekzistimin e tyre në Serbi pikërisht në atë mënyrë, pra se shërbejnë për të ndihmuar Serbinë në zgjidhjen e situatave të tilla.

Të paktën kështu thuhet në listën e aktiviteteve të qendrës humanitare në faqen e tyre zyrtare.

“Pjesëmarrja në aktivitetet e parandalimit dhe eliminimit të situatave emergjente; Ofrimi i ndihmës humanitare për popullatën e prekur nga situata emergjente; Zbatimi i projekteve dhe programeve të përbashkëta në territorin e Republikës së Serbisë dhe vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit; Trajnimi dhe zhvillimi profesional i personelit në fushën e parandalimit dhe eliminimit të situatave emergjente; Testimi dhe demonstrimi i pajisjeve dhe teknologjive moderne të zjarrfikësve dhe shpëtimit; Kryerja e detyrave të tjera që nuk bien ndesh me objektivat e Qendrës”.

Pikërisht për këtë shtrohet pyetja se ku dhe çfarë janë personat që janë të punësuar në këtë Qendër dhe çfarë po bëjnë, ndërkohë që zjarri po përhapet nëpër Serbi.

Asnjë përgjigje nga Qendra

“Ne u përpoqëm të merrnim një përgjigje prej tyre. I pyetëm ndër të tjera nëse kanë marrë pjesë në ndonjë mënyrë në shuarjen e zjarrit. Mirëpo, në kohën kur u publikua ky tekst, ata nuk u ishin përgjigjur pyetjeve tona”, shkruan tutje danas.

Polemikat e kanë përcjellë këtë Qendër prej vitesh.

Që nga momenti i hapjes, përfaqësuesit e opozitës serbe, dhe në radhë të parë të Perëndimit, pyetën veten nëse ajo ishte në të vërtetë një lloj qendre e inteligjencës ushtarake, madje edhe spiunazhi në mes të Ballkanit, në afërsi relative me bazën kryesore ushtarake amerikane në Kosovë.

Për shembull, në vitin 2022, deputetët e Parlamentit Evropian propozuan në dy amendamente të Projekt-Rezolutës për Serbinë që kjo qendër të kërkohet të jetë më transparente, pra të hiqet.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024