Zgjedhjet në Maqedoni, kritikohet Kurti për përçarje të shqiptarëve
Lexohet për: 3 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Më 24 prill do të mbahet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Dy kandidatët shqiptarë, Bujar Osmani nga Fronti Evropian, që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Arben Taravari, nga koalicionit VLEN, që përbëhet nga katër parti opozitare shqiptare pritet ta kenë të vështirë të arrijnë në raundin e dytë të votimit, që do të mbahen më 8 maj. Sipas analistëve politikë në Maqedoninë e Veriut, gjasat më të mëdha i kanë presidenti aktual, Stevo Pendarovski dhe kandidatja opozitare nga VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska Davkova. Në anën tjetër, të njëjtin kritikojnë partinë në pushtet në Kosovë, Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti për përfshirjen në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.

Analisti politik në Maqedoninë e Veriut, Sefer Selimi, thotë për KosovaPress se nuk ka pritshmëri për dalje të madhe të votuesve në zgjedhjet e 24 prillit, mirëpo thekson se do të jetë një tregues i qartë se cili kamp shqiptar do të peshojë më shumë në zgjedhjet parlamentare më 8 maj. Skeptik për rezultate pozitive të partive shqiptare në zgjedhjet presidenciale është edhe analisti tjetër në Maqedoninë e Veriut, Xhelal Neziri. Ai thotë se gjasat janë të vogla që dy kandidatët shqiptarë për president të arrijnë raundin e dytë të votimit, por shton se Bujar Osmani mund të arrijë një rezultat që t’i afrohet kandidatit të dytë në këto zgjedhje. Duke folur për përfshirjen direkte të kryeministrit Albin Kurti në zgjedhje, analisti Sefer Selimi, thotë se ky implikim mund të ketë ndikim në raportet Kosovë-Maqedoni e Veriut dhe vetë marrëdhëniet ndër-shqiptare në rajon. Sipas tij partitë opozitare shqiptare në Maqedoni të Veriut po dëshirojnë të përdorin figurën e Kurtit për vota. Mendim të njëjtë shpreh edhe analisti Xhelal Neziri.

Në bazë të ligjit, në raundin e parë, president mund të zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave nga numri i përgjithshëm i trupit votues, që arrin 1.8 milionë zgjedhës. Në raundin e dytë, kalojnë dy kandidatët me më shumë vota, ndërsa zgjidhet ai që arrin të sigurojë mbi gjysmën e votave të atyre që kanë dalë në votime, me kusht që pjesëmarrja të jetë 40 për qind e trupit votues./E.Zeqiri/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024