Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka deklaruar se një luftë e zgjatur në Lindjen e Mesme mund të ndikojë në dërgesat e armëve drejt Ukrainës.
Megjithatë, sipas Zelenskyt, Kievi nuk po vëren ulje në dërgesat e armëve nga partnerët.
Megjithatë, ai pranoi se nëse konflikti në Lindjen e Mesme zgjatet, rreziqet mund të rriten.
“Në çdo rast, nëse ka luftime të gjata në Lindjen e Mesme, sigurisht që do të ndikojë në furnizime (të armëve). Jam i sigurt për këtë,” theksoi Zelensky.
“Do të bëjmë gjithçka për të mos lejuar ndërprerjen e financimit për prodhimin tonë vendor që të funksionojë me kapacitet të plotë. Sot po punojmë pikërisht për këtë, për të siguruar që 90 miliardë eurot të mos bllokohen,” tha ai, duke iu referuar ndihmës së Bashkimit Evropian për Ukrainën.
Në përgjigje të një pyetjeje nga DW, Zelensky tha se një luftë në Iran mund të ketë pasoja politike dhe reputacionale për Rusinë dhe personalisht për Presidentin Vladimir Putin.
“Të gjitha forcat e tyre, të gjitha forcat e armatosura dhe formacionet e tjera – të gjitha janë në Ukrainë. Ata nuk kanë më forca,” shtoi ai.
Zelensky theksoi se ngjarjet në Iran duhet të shërbejnë si sinjal për liderin rus. “Ajo që po ndodh në Iran, më duket se është një sinjal i mirë për Putin që të shohë se si mbaron diktatura,” tha ai.
Ai tha se Kievi dëshiron përfshirjen e Pekinit në proces, transmeton RTSH.
“Është e rëndësishme për ne t’i angazhojmë ata jo në luftë, por në përfundimin e luftës që Putin i solli Ukrainës. Mendoj se kjo është brenda fuqive të tyre. Në çdo rast, lideri kinez mund të ndikojë në furnizimet me lloje të caktuara armësh, mallra me përdorim të dyfishtë, etj. Pjesëmarrja e tyre sigurisht do të ishte e mirë për ne. Deri tani, ne nuk po shohim përfshirjen e tyre,” tha Zelensky.