Ukraina është e gatshme të nisë kundërsulmimin e saj të pritshëm, tha sot presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në një intervistë për “The Wall Street Journal”.
“Ne besojmë fuqishëm se do të jemi të suksesshëm”, tha lideri ukrainas nga Odesa.
“Kjo do të thotë se një numër i madh ushtarësh do të vdesin në operacion”, shtoi ai.
“Nuk e di se sa kohë do të zgjasë. Por, ne do ta nisim ofensivën dhe jemi gati”, theksoi ai, duke shtuar se Kievi do të donte të kishte më shumë armë nga Perëndimi për aksionin e ardhshëm.
Zelensky gjithashtu shprehu shqetësimin se çdo ndryshim në administratën amerikane mund të ndikojë në ndihmën.
“Në një situatë si kjo, kur ka mbështetje, ekziston frika nga ndryshimi”, tha ai.
Por, një shqetësim më i menjëhershëm për presidentin ukrainas, shkruan “The Wall Street Journal”, është të sigurojë një rrugë të qartë drejt anëtarësimit të vendit në NATO, në samitin që do të mbahet në Vilnius të Lituanisë, në korrik.
“Nëse nuk marrim një sinjal në Vilnius, mendoj se nuk ka kuptim që Ukraina të marrë pjesë në këtë samit”, tha ai.
“Nëse je i madh, ky është kuptimi i madhështisë kombëtare. Kjo nuk është një pikturë apo muze, është një luftë e vërtetë dhe e përgjakshme”, tha ai. /ANSA/