Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një intervistë për gazetën franceze Le Parisien, ka folur mbi mundësinë e negociatave me Rusinë në lidhje me armëpushimin dhe njoftimet e presidentit të sapo zgjedhur Donald Trump për përfundimin e luftës.
Zelensky tha se nuk do të mbështeste ngrirjen e konfliktit me Rusinë për të përshpejtuar bisedimet e paqes, duke theksuar angazhimin e tij për të mbrojtur interesat dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Trump e di për dëshirën time për të mos nxituar gjërat në kurriz të Ukrainës”, tha Zelensky në përgjigje të pyetjeve mbi një plan të mundshëm që do të përfshinte bisedime kompromisi.
Deklarata e tij vjen ndërsa ekipi i tranzicionit i Trump përgatitet të merr detyrën, me presidentin e zgjedhur që sinjalizon nevojën për kompromis për të arritur paqen.Gjatë fushatës, Trump shpesh shprehu skepticizëm për mbështetjen e mëtejshme për Ukrainën dhe bëri thirrje për një fund të shpejtë të luftës, duke theksuar rëndësinë e uljes së kostove për SHBA.
Qasja e tij ka ngritur shqetësime mes zyrtarëve ukrainas, të cilët kanë frikë se administrata e re mund të shkurtojë mbështetjen thelbësore për mbrojtjen e Ukrainës.
Zelensky gjithashtu pranoi publikisht për herë të parë se Ukraina e vetme nuk mund të kthejë territoret e pushtuara të Krimesë dhe Donbasit, të cilat janë pothuajse tërësisht të kontrolluara nga Rusia.
Në lidhje me atë nëse do të takohet me Putin, Zelensky tha: "Nuk ka të bëjë me atë se kush është ulur përballë jush, ka të bëjë me pozicionin në të cilin jeni kur negocioni. Unë nuk besoj se jemi në një pozicion të dobët. Por ne nuk jemi të fortë, a do të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian?”
Ai paralajmëroi se hyrja në negociata me Putin për kushtet aktuale do t'i jepte liderit rus fuqinë për të diktuar kushtet në të gjithë rajonin. "Së pari ne duhet të zhvillojmë një model, një plan veprimi, një plan paqeje - quani si të doni. Më pas mund t'ia paraqesim Putin ose, më gjerë, popullit rus", tha Zelensky.
Zelensky shprehu shpresën se Trump do të kuptojë rëndësinë strategjike të mbështetjes së Ukrainës në luftën e saj kundër agresionit rus.